SBAShK: Instituti GAP duhet t’u kërkojë falje mësimdhënësve të viteve të 90-ta

Prishtinë | 30 Maj 2018 | 10:53 | Nga

Para dy ditësh, instituti GAP ka publikuar draft-analizën “Ndikimi buxhetor i Ligjit për pensionin meritor të punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990”.

Në këtë draft-analizë thuhet se kostoja buxhetore për Projektligjin për mësimdhënësit e viteve ’90-a prej vitiy 2019-2049 do të arrijë  deri në 650 milionë euro.

Përllogaritjet e institutit GAP kanë ngjallur reagime nga SBAShK-u.

Në letrën e reagimit, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë që ky institut duhet t’u kërkojë falje mësimdhënësve të viteve ‘90-a.

Ky është reagimi i plotë:

“Instituti  GAP kishte pasur dy takime pune me përfaqësues të SBASHK-ut lidhur me gjithë çështjet që kanë të bëjnë me Ligjin për statutin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta.  Ata, edhe përkundër argumenteve të bollshme që morën, dolën publikisht duke organizuar tryezë me deputetë, përfaqësues institucionesh, përfaqësues të shoqërisë civile dhe me palë të tjera të interesuara me një draftë  analizë , e cila doli të jetë e bazuar në supozime dhe pa argumente të qëndrueshme e me tendencën kundër aprovimit të këtij ligji.

Në këtë reagim nuk do të ndalemi në draftin  GAP të bazuar në supozime sepse në tryezën e organizuar nga ata përfaqësuesi i SBASHK-ut me argumente e fakte ua hodhi poshtë gjithë pretendimet e tyre negative ndaj ligjit. Reagimi  ynë  ndodh me arsye e për një shkak tjetër. GAP  draft analizën me titullin ‘Ndikimi buxhetor i Ligjit për punëtorët e arsimit shqip të viteve të 90-ta”  e mbështjell me kopertinën sikur të ishte ABETARE, gjë që është një veprim i pamatur. Aq më shumë në këtë vizatim të kopertinës nxënësi paraqitet  me një fytyrë të vrenjtur dhe në vend të buzëqeshjes vetëm sa nuk i ka dalë loti nga dëshpërimi, kurse nga çanta e tij dalin mizat. Në  po këtë kopertinë të dizajnuar keq nga GAP , në vend të nxënëses, që është në kopertinën e njërës nga abetaret, është vendosur një burrë  barkalec, me buzëqeshje ironike dhe me çantën, e cila nuk ia ka zënë gjithë paratë, por ato kanë nisur t’i dalin nga çanta. Kështu e portretizon mësuesin  e viteve të  90-ta GAP. Kjo nuk ka të bëj me të vërtetën dhe është fyerje ndaj personalitetit të pishtarëve të dijes.

Njerëzit në GAP nuk e kanë përjetuar kohën e viteve të 90-ta dhe qëndresën sublime të punëtorëve të arsimit shqip të asaj kohe karshi furtunave dhe dhunës së pushtuesit.  Mësimdhënësit  në atë kohë kanë punuar me tërë përkushtimin dhe çanta e nxënësit ka qenë me libra e fletore, koka e mbushur me dije e zemra me dashuri për atdheun. Mësuesi në atë kohë nuk ka qenë i veshur si në vizatimin e GAP e as nuk ka pasur çantë.  Ai në të shumtën e kohës ka punuar pa pagesë po në emër të idealit për atdheun e lirë dhe me vetëdijen se po i shërben dritës kundër errësirës. GAP këtë gabimin me kopertinën e bëri, mbase, pa qëllim, por vizatimi doli ofendues dhe prandaj GAP duhet t’u  kërkojë falje publike mësimdhënësve dhe nxënësve të viteve të 90-ta.”

Të ngjashme