SBAShK kërkon nga ministri Bytyqi vend meritor në Ligjin për pagat

Prishtinë | 10 Kor 2018 | 15:30 | Nga

Duke adresuar drejt shqetësimet e anëtarësisë lidhur me Ligjin për pagat dhe përkitazi me Udhëzimin Administrativ 6/2015, delegacioni i SBASHK-ut, i kryesuar nga kryetari Rrahman Jasharaj është takuar me ministrin Shyqiri Bytyqi për të debatuar për këto dy çështje me rëndësi.

Në këtë takim SBAShK-u ka ngritur edhe një herë pakënaqësitë dhe kundërshtimet lidhur me Ligjin e pagave  duke rikujtuar se është i papranueshëm vendi në radhitjen që i është bërë  punëtorëve të arsimit në tabelorin e këtij Ligji. SBAShK-u ka kërkuar që ministri Bytyqi dhe kabineti i tij të angazhohen me ngulm që kërkesat e argumentuara të SBAShK-ut të përfillen  nga Ministria e Administratës Publike  në mënyrë që punëtorët e arsimit të kenë vend meritor  në këtë radhitje.

Kryetari i SBASHK-ut i ka kujtuar  edhe një herë ministrit Bytyqi se nëse kjo çështje nuk përfillet dhe nuk veprohet për përmirësimin e lëshimeve në Ligjin për pagat, atëherë SBASHK-u do të veprojë duke respektuar zërin e punëtorëve të arsimit dhe se viti i ri shkollor do ta gjejë në grevë të përgjithshme tërë sistemin arsimor të Kosovës.

Kryetari i SBASHK-ut edhe në takimin e sotëm me ministrin Bytyqi  ka ripërsëritur shqetësimin e ngritur nga mësimdhënës të arsimit të mesëm të lartë lidhur me paralajmërimet nga disa DKA se do të nis së zbatuari Udhëtimi Administrativ 6/2015  e që ka të bëj me shpalljen e konkursit për  vendet e punës për të gjithë ata që deri në përfundim të vitit shkollor 2017/2018 nuk kanë arritur te titulli master për lëndët e tyre.

Kryetari Jasharaj i ka thënë Ministrit Bytyqi  se është e padrejtë dhe e papranueshme të veprohet sipas atij Udhëtimi Administrativ  sepse mësimdhënësve në arsimin e mesëm të lartë nuk u është krijuar mundësia që të ndjekin programet adekuate për të marrë titullin master.

Ministri Bytyqi është përgjigjur se nuk ka vend për shqetësim pasi në MAShT është formuar komisioni që do ta analizojë Udhëzimin e përmendur Administrativ dhe do të  zgjas afatin  duke u dhënë mundësi të punësuarve në arsimin e mesëm të lartë të vazhdojnë me ngritjen profesionale për të arritur te titulli master. Ai ka shtuar se këto afate nuk mund të shtyhen në pafundësi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme