Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës [SBASHK] ka njoftuar se greva do të vazhdojë në të gjitha institucionet, derisa ka theksuar se punëtorët e arsimit nuk mund t’i largojë askush nga e drejta e tyre e garantuar me ligj për të shprehur kundërshtimin e tyre përmes grevës legale ndaj ligjit diskriminues e degradues të pagave.
SBASHK-u thotë se greva e përgjithshme në tërë sistemin arsimor duke filluar nga çerdhet, institucionet e arsimit parauniversitar dhe në universitete, do të vazhdojë edhe në ditët në vijim derisa institucionet e shtetit nuk përmbushin, siç thonë, “kërkesën legjitime e të drejtë të SBASHK-ut për ngritjen e koeficienteve në projektligjin e pagave për 30 % për të gjithë të punësuarit në arsimin e Kosovës”.
“SBASHK-u ka përcjellë me kujdes situatën në tërë Kosovën gjatë grevës dhe fton institucionet qendrore e lokale që të shtojnë angazhimet për të përmbushur kërkesën legjitime të SBASHK-ut. Po ashtu, i kujtojmë ata që të heqin dorë nga idetë për të bërë presione ndaj grevistëve sepse do të përballen me ligjin e drejtësinë ngase greva jonë është legjitime dhe këtë të drejtë e mbron edhe ligji mbi grevat dhe konventat ndërkombëtare. Punëtorët e arsimit nuk ka mundur t’i frikësojë e t’i largojë nga misioni i tyre i shenjtë as pushtuesi serb me gjithë atë dhunë në vitet e ‘90-ta. Punëtorët e arsimit nuk mund t’i largojë as sot e gjithë ditën askush nga e drejta e tyre e garantuar me ligj për të shprehur kundërshtimin e tyre përmes grevës legale ndaj ligjit diskriminues e degradues të pagave. Ne nuk po kërkojmë as më shumë e as më pak se të tjerët dhe prandaj do të qëndrojmë të palëkundur në angazhimet dhe përpjekjet tona për të realizuar kërkesën e drejtë për ngritje se paku për 30 % të koeficienteve për të punësuarit në tërë sistemin arsimor”, thuhet në komunikatë.
SBASHK-u njofton se nesër kryetari Rrahman Jasharaj, bashkë me disa nga anëtarët e Këshillit Qendror Grevist, do të qëndrojnë në Mitrovicë, Vushtrri dhe Obiliq, për të bashkëbiseduar me grevistët.