SBAShK-u kundërshton Ligjin për Pagat, i degradon mësimdhënësit

Prishtinë | 21 Jan 2017 | 16:39 | Nga

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka mbajtur takim konsultativ me përfaqësuesit e kësaj sindikate nga të gjitha komunat e Kosovës dhe të Universitetit për të debatuar lidhur me angazhimet për ndryshimin në Projektligjin për Pagat.

Takimi ishte thirrur pasi Kryesia e SBAShK-ut ka konstatuar se Projektligji si i tillë është degradues për profesionin e mësimdhënësit.

Sipas një komunikate të lëshuar pas takimit, “pjesëmarrësit në këtë takim i kanë dhënë mbështetje të fuqishme angazhimit të kryetarit dhe Kryesisë, që përmes dialogut me përfaqësues të institucioneve të shtetit të Kosovës të korrigjohet ky Projektligj”.

Kjo, në mënyrë që profesioni i mësimdhënësit të mos mbetet i pozicionuar aq ulët, por të rangohet në vend të merituar.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut nga të gjitha komunat e Kosovës dhe përfaqësues të Universitetit kanë vendosur në këtë takim që “nëse nuk ka reflektim nga Ministritë përkatëse”, atëherë SBAShK-u pakënaqësinë do ta shprehë edhe përmes organizimit të veprimeve sindikale , duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme.

“Po në këtë takim pjesëmarrësit kanë zhvilluar një debat konstruktiv lidhur me idenë e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi me BSPK-në. Në këtë mënyrë SBAShK-u që është Federata me e organizuar dhe më e fuqishme në Kosovë do të mundohet të kontribuojë në forcimin e zërit sindikal me qëllim që sfidat e shumta në arsim dhe në gjithë sektorët tjerë të përballohen me një forcë të unifikuar sindikale”.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut nga të gjitha nivelet e arsimit të Kosovës kanë marrë vendim që të fillohet me realizimin e agjendës për zgjedhjet e reja, duke filluar nga shoqatat sindikale në institucionet e Arsimit Parauniversitar dhe atij Universitar e për të vazhduar me zgjedhjet në Kuvendet e të tri niveleve arsimor në mënyrë që me forca të reja të shkohet drejt Kongresit, që do të mbahet në fillim të vitit 2018.

sb

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme