Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është optimist për ndryshimet në Projektligjin për Pagat- pas vërejtjeve të adresuara, me të cilat synohet pozitë më e mirë për mësimdhënësit.
Versioni aktual është i papranueshëm për mësimdhënësit- të bindur se janë vënë në një pozitë nënçmuese, në të njëjtin nivel me profesionet që kërkojnë vetëm shkollim të mesëm.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Jasharaj ka paralajmëruar grevë, nëse vërejtjet për renditjen e arsimtarëve në tabelën e Projektligjit për Pagat nuk merren parasysh.
“Ne jemi optimist se Qeveria Haradinaj në diskutimin që do ta bëjë për ligjin, do t’i trajtojë me kujdes edhe vërejtjet tona dhe ne jemi të sigurt që ligji në versionin aktual nuk do të shkojë, por do të shkojë i përmirësuar”.
“Në qoftë se qeveria nuk i ka përfillur vërejtjet, atëherë do na vë në pozicion të keq dhe besoj se SBASHK-u do të veprojë me masa të tjera, veprime sindikale, pra ligji i pagave është një mundësi që mund të na dërgoj në vendimin e Këshillit Drejtues për grevë”, tha Jasharaj për Ekonomia Online.
Jasharaj, më tutje, ka folur edhe për Projektligjin për Mësimdhënësit e viteve të 90-ta, i cili është miratuar në lexim të parë. Kryetari i SBASHK-ut ka besim tek deputetet dhe pret që grupet parlamentare ta votojnë edhe herën e dytë.
“Jam i bindur se deputetët shqiptarë të Republikës së Kosovës në leximin e dytë, sapo të vijë projektligji, do të votojnë për hir të respektit që kanë për vitet 90 dhe mësimdhënësit, një pjesë e të cilëve janë edhe vet mësimdhënësit e deputetëve”, shtoi Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se të gjithë mësimdhënësit që kanë punuar në vitet 90-ta do të marrin pensionet e punës dhe shteti i Kosovës do të bëjë një shtesë të parave që ato të jenë pak më të larta se sa pensionet e punës.
Kreu i SBASHK-ut thotë Ligji për Mësimdhënësit ka implikime buxhetore prej 6 milionë e 700 mijë eurosh. Flet edhe për disa momente tensioni mes përfaqësuesve të mësimdhënësve dhe ministrit të Financave, Bedri Hamza.
“Në vitin e ardhshëm implikimet buxhetore nuk i kalojnë 6 milionë e 700 mijë, është çuditshme se pikërisht e njëjta ministri komisionit ia ofroi dokumentin që ne e pranuam dhe i besuam te gjithë, pastaj doli me shifra krejt të tjera, ndoshta ishte momenti kur ne kishim takime jo fort të këndshme me ministrin Hamza për ligjin dhe çështje tjera dhe ndoshta ai pak është ndjer i inatosur me SBASHK-un dhe ndoshta inatet e tij kanë ardhur pikërisht për këtë, por tani po shoh se kohët e fundit nuk e ka më një qëllim të tillë”, shtoi Jasharaj.
“Mundësia e vetme e mundshme për buxhetin e Kosovës është kjo që është zgjedhur nga MAShT, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe SBASHK-u, që shpërblimi të bëhet pas pensionimit të njerëzve që kanë punuar në vitet e 90-ta, sepse do të shkojë në mënyrë graduale dhe do jetë më e lehtë të përballohet nga buxheti i Kosovës”, tha Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se shifra e mësimdhënësve të viteve 90-ta, që është dhënë nga Ministria e Financave, është e tepruar, pasi që numri 9300 është marrë si bazë për të gjithë të pensionuarit.
Kryetari i SBASHK-ut, po ashtu, tregoi se po kërkojnë që punëtorët e arsimit me sëmundje të rënda të pensionohen para kohe. Sipas tij, ka disa prej tyre që vuajnë nga sëmundjet e rënda dhe për të mbajtur familjet, detyrohen të punojnë me gjendje të rënduar shëndetësore.
Jasharaj shtoi se numri, i cili mendohet të jetë për këta mësimdhënës, nuk është më i madh se 300.
“Kemi biseduar edhe me ministrin Bytyqi që të gjendet një mënyrë që këta njerëz t’ i pensionojmë me pensione dinjitoze. Ideja e SBASHK-ut është që pasi po paramendohet që në të ardhmen të kemi mësimdhënës praktikantë që këta të shkojnë ta kryejnë praktikën arsimore për hyrje në sistem, por edhe do të marrin njohuri praktike dhe njëjtën kohë t’i zëvendësojnë kolegët tanë të sëmurë”.
“Buxhetit, sipas idesë së SBASHK-ut, nuk do t’i kushtojë asnjë cent, sepse shteti do t’i japë 70% të pagës personit të sëmurë, ndërsa 30% do ta japë, si një lloj përkrahje, për kolegun tonë që është duke kryer praktikën e tij, të cilën do ta ketë në të ardhmen si obligim për të hyrë në sistemin e arsimit, pra shteti nuk humb asgjë e arsimi fiton shumë”, thotë Jasharaj për Ekonomia Online.