Scholz dënon në mënyrën më të ashpër sulmin në Banjskë

Prishtinë | 16 Tet 2023 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se dënon në mënyrë më të ashpër sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Morëm një goditje në rajon. Para disa javëve policët e Kosovës u sulmuan në mënyrë brutale, dhe një polic u vra. E dënojmë në mënyrë më të ashpër këtë gjë”, ka thënë Scholz në konferencë për media.

Scholz ka thënë se në Samitin në Tiranë e ka thënë qartë edhe njëherë se duhet të ketë bashkëpunim rajonal dhe të zgjidhen konfliktet e kaluara.

“Duhet përmirësim konkret e i prekshëm, duhen marrëveshje që lehtësojnë jetën e përditshme, që bashkojnë qytetarët, e që është me rëndësi, marrëveshje që rrisin besimin e ndërsjellë. Procesi i Berlinit nga viti 2014 po kryen këtë detyrë”, ka thënë Scholz, ndërsa ka shpjeguar marrëveshjet arritura të hënën.

Ai ka thënë se Samiti i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit vitin e ardhshëm do të mbahet në Gjeërmani. Ai ka falënderuar Shqipërinë për organizimin e Samitit të së hënës.

“Është shenjë e mirë që për herë të parë Procesi i Berlinit u mbajt në një vend të Ballkanit Perëndimor, e që prezent ishin presidentët apo kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo dëshmon për angazhimin e këtyre vendeve për këtë Proces dhe po ashtu se sa i rëndësishëm është ky Proces që të shtyjë para Ballkanin Perëndimor drejt BE-së”, ka thënë Scholz.

Të ngjashme