Scott: Nuk duhet vënë afat për bisedat Kosovë – Serbi

Prishtinë | 23 Sht 2018 | 13:43 | Nga

Nuk do të ishte mençuri që të afatizohen negociatat ndërmjet Serbisë e Kosovës, të paktën jo derisa të arrihet diçka e prekshme se kjo çështje mund të përfundojë, ka thënë për FoNet ambasadori i SHBA-së në Serbi Kyle Scott.

Ai ka theksuar se marrë para sysh dinamikën globale në vitin e ardhshëm, ky është rast fantastik që të bëhet përparim dhe që nuk duhet lënë, transmeton Koha.net.

Sipas tij, ka mundësi që në vitin e ardhshëm të ketë zgjedhje në Kosovë e në Serbi dhe ka tërhequr vërejtjen se “situata në këtë rajon është gjithmonë e komplikuar“.

Me përkujtimin se „dialogu i Serbisë dhe i Kosovës nga faza teknike, ka kaluar në fazë më të komplikuar në të cilën flitet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse“, Scott ka thënë “se vetë kjo flet për përparimin”, ndaj, ka konstatuar ai, nuk pajtohet me vlerësimin se bisedat kanë ngecur.

Sipas fjalëve të tij, ShBA-ja nuk është drejtpërdrejtë e përfshirë në negociata që zhvillohen ndërmjet Serbisë e Kosovës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe se është shumë e rëndësishme që ato të orientohen në marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe te zgjidhja.

“Ka ide, disa janë të suksesshme, disa jo, e sipas mendimit tonë, është me rëndësi t’iu jepet rasti dhe hapësira liderëve të Serbisë e të Kosovës që të bisedojnë, të jenë fleksibël e kreativë dhe të arrijnë te zgjidhja e përhershme që do të mund të zbatohet dhe që ajo të jetë e pranueshme për qytetarët e dy vendeve”, ka theksuar Scott.

Sipas fjalëve të Scottit, “kemi liderë që po lëvizin drejt zgjidhjes, marrëveshjes që është e mirë për popujt e tyre“.

„Nuk ka vend në rajon të jetë i dënuar me konfliktin e ngulitur”, ka thënë Scott duke marrë shembullin e Maqedonisë e të Greqisë që ai dolën ta zgjidhin konfliktin disa deceniesh rreth emrit.

„Mendoj se mund të presim që kjo të ndodhë edhe me Kosovën e Serbinë”, parasheh Scott dhe shton se konflikti i ngrirë prodhon destabilitet.

I pyetur pse ShBA-ja përnjëherë vendosi ta përkrahë idenë për “për korrigjimin e kufijve”, ai ka thënë se SHBA-ja nuk ka vendosur për këtë ose për atë, porse ka vendosur që të dy palëve t’iu japë hapësirë që të merren vesh.

Scott ka paralajmëruar se ShBA-ja do ta shqyrtojë “kornizën e marrëveshjes dhe rolin e vet në mënyrë që gjërat të ecin përpara por ashtu që marrëveshja ta stabilizojë rajonin.

“Nuk do ta përkrahim marrëveshjen që destabilizon rajonin dhe krijon probleme”, ka thënë Scott duke pohuar se SHBA-ja e njeh pavarësinë Kosovës, dhe se mendon se Kosova meriton vendin në OKB .

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse bashkësia ndërkombëtare ka planin B nëse dështon marrëveshja Kosovë- Serbi, ai ka thënë se është optimist dhe se më shumë dëshiron të merret me planin A.

“Iu takon palëve të merren vesh me ndihmën e Federica Mogherinit”, ka thënë Scott duke shtuar se “çështja e demarkacionit, korrigjimit të kufijve nuk është aq e thjeshtë dhe se nuk bëhet fjalë për vizatimin vijave nëpër letra”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme