Një shpërthim në një minierë thëngjilli në pjesën jugperëndimore të Kinës i ka lënë të vdekur së paku 14 persona. Autoritetet lokale thanë se dy persona të tjerë ndodhen të ngujuar nën sipërfaqen e tokës në provincën Guizhou.
Kina është përballur me një varg të rasteve tragjike në miniera kohëve të fundit. Së paku 37 persona kanë vdekur në 5 raste të tilla në këtë shtet vetëm nga tetori i këtij viti.
Aksidentet në minierat kineze shpesh ndodhin për shkak të zbatimit të dobët të masave të sigurisë.
Shpërthimi në minierën “Guanglong” ndodhi në orët e hershme të së martës, ndërsa raportohet se shtatë persona janë shpëtuar nga miniera.
Të shtunën e kaluar, vërshimet në një minierë thëngjilli në provincën Sichuan i lanë të vdekur pesë minatorë, ndërsa 13 të tjerë mbetën të ngujuar.
Vitin e kaluar, 333 persona vdiqën për shkak të aksidenteve në minierat e Kinës. Megjithatë, kjo shifër ishte për 13 për qind më e ulët se viti paraprak, shkruan “BBC”, transmeton Express.
Ndryshe, Kina është shteti i parë në botë për nxjerrjen e thëngjillit. Vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti, fuqia aziatike i ka nxjerrë 3 miliardë tonë thëngjill.