Së shpejti edicioni i tretë i Upward International Student Film Festival 2026

Prishtinë | 07 Kor 2026 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

UPWARD Student Film Festival rikthehet në Prishtinë me edicionin e tij të tretë, duke sjellë një përzgjedhje të filmave më të mirë studentorë nga e gjithë bota.

Gjatë katër ditëve të festivalit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë krijime bashkëkohore të autorëve të rinj, të marrë pjesë në diskutime me kineastë dhe pedagogë ndërkombëtarë, si dhe të njihet me zhvillimet më të reja të kinemasë studentore.

Për edicionin e sivjetmë, festivali pranoi 1,424 aplikime nga e gjithë bota. Pas procesit të përzgjedhjes, 69 filma u përfshinë në Programin Zyrtar, duke përfaqësuar 36 shtete, me një normë pranimi prej vetëm 5.4%, çka dëshmon standardin e lartë artistik dhe procesin rigoroz të seleksionimit.

Përzgjedhja e këtij viti përfshin filma artistikë, dokumentarë, animacion dhe filma eksperimentalë, të cilët trajtojnë tema që variojnë nga identiteti, kujtesa dhe familja, deri te migrimi, teknologjia, ndryshimet shoqërore dhe sfidat e brezit të ri.

Në Programin Zyrtar janë përfaqësuar studentë dhe të diplomuar nga disa prej institucioneve më të njohura ndërkombëtare të edukimit filmik dhe artistik, ndër to La Fémis, Columbia University, Hamburg Media School, Warsaw Film School, Savannah College of Art and Design (SCAD), DAMS – Roma Tre University, Fundación Universidad del Cine (FUC), MetFilm School Berlin, KASK School of Arts, The Icelandic Film School, University of Hertfordshire, Stuttgart Media University, Istanbul Gelişim University, Nord University, New Bulgarian University, University of Arts, Tirana, si dhe universitete të tjera prestigjioze. Kjo pjesëmarrje dëshmon karakterin ndërkombëtar të festivalit dhe larminë e traditave artistike të përfaqësuara në këtë edicion.

Festivali do të mirëpresë regjisorë, producentë, profesorë universitarë, studiues dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar mundësi për dialog profesional, shkëmbim përvojash dhe zhvillimin e bashkëpunimeve të reja ndërkombëtare.

I organizuar nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, UPWARD Student Film Festival 2026 realizohet me mbështetjen e Prishtina International Summer University (PISU 2026), Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Kinemasë ABC, duke vazhduar të afirmohet si një platformë ndërkombëtare për promovimin e kinemasë studentore, mbështetjen e autorëve të rinj dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe industrisë së filmit.

Të gjitha shfaqjet, diskutimet dhe aktivitetet e festivalit janë të hapura për publikun. Programi i plotë i festivalit, oraret e shfaqjeve dhe informacione të tjera mund të gjenden në kanalet zyrtare të UPWARD Student Film Festival dhe të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Të ngjashme