Së shpejti do të fillohet të gërmohet në pjesën veriore të Mitrovicës gjegjësisht tek varrezat e myslimanëve, në kërkim të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Kryetari i Komisionit për të Pagjeturit Prenk Gjetaj, ka konfirmuar për Indeksonline se pas përfundimit të punimeve në Suhodoll tani së shpejti do të fillojnë gërmimet për varreza të tjera të viktimave të luftës.
“Tani pjesë tjetër që dyshohet për varreza të tjera është në pjesën veriore të Mitrovicës gjegjësisht në varrezat myslimane, si dhe pikat tjera të cilat mund të jenë në agjendën e institucioneve siç është prokuroria, policia për krime lufte, mjekësia ligjore”, ka treguar Gjetaj.
Ai ka është shprehur se shpreson që së shpejti aty të futet në agjendë për tu vlerësuar ku tani janë në kontakt me EULEX-in, dhe se pritet të ketë gërmime tjera në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Në Suhodoll është punuar për pesë ditë dhe është gjetur një trup gjegjësisht një viktime e luftës me veshmbathje dhe gjithnjë dyshohet se i përket periudhës së luftës si dhe figuron si person i zhdukur. Mirëpo analiza është ajo që do ta tregoj saktë identitetin e viktimës. Është verifikuar tërë hapësira brenda varrezave që është dyshuar”, ka thënë Gjetaj.