SEED – Sistemi që revolucionarizoi proceset tregtare në tregun e CEFTA-s

Prishtinë | 16 Jan 2024 | 10:27 | Nga Ekonomia Online

Mes pandemisë COVID-19, kur u bë jashtëzakonisht kritike urgjenca në transportin e mallrave esenciale si pajisjet mjekësore, ushqimet dhe barnat, një sistem luajti rol madhor në lehtësimin e procedurave doganore. Sistemi SEED i CEFTA-s për Shkëmbimin Sistematik të të Dhënave Elektronike, i krijuar në vitin 2010, ishte një mjet krucial, vlera e të cilit u demonstrua më së miri në përgjigjen ndaj sfidave të reja, siç ishte pandemia.

Fillimisht, ky sistem ishte i fokusuar në shkëmbimin e informacionit doganor ndërmjet administratave doganore të palëve nënshkruese të marrëveshjes CEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore). Megjithatë, me kalimin e kohës, funksionaliteti dhe domethënia e tij u zgjeruan ndjeshëm për të mbështetur lloje të ndryshme të dërgesave dhe proceseve.

Si u zhvillua ideja e sistemit SEED?

Radhët e gjata të kamionëve që presin në kufij, proceset e ndërlikuara të shkëmbimit të informacionit ndërmjet administratave doganore, barrierat burokratike, grumbujt e dokumenteve, proceset jotransparente dhe të ngadalta, prej kohësh kanë qenë shenja paralajmëruese se gjërat duhet të ndryshojnë. Orë dhe madje ditë të tëra humbeshin duke pritur në kufij, mallrat prisheshin, ndërsa shkëmbimet tregtare viheshin në rrezik.

Koncepti i sistemit SEED u propozua si zgjidhje për të krijuar një platformë elektronike që mundëson shkëmbimin automatik dhe të shpejtë të informacionit në doganë. Qëllimi ishte eliminimi i humbjes së kohës dhe dokumentacionit, sigurimi i transparencës dhe saktësisë së të dhënave, si dhe sigurimi i koordinimit më të mirë ndërmjet palëve të CEFTA-s në përpunimin e mallrave në kufi. U bë e qartë se doganat ishin fyte të ngushtë që kishin nevojë për modernizim dhe digjitalizim si parakusht jo vetëm për një tregti më të shpejtë dhe më efikase, por edhe më të sigurt.

Çka nënkupton kjo në praktikë?

Shkëmbimi efikas i të dhënave dhe dokumenteve sjell përfitime të drejtpërdrejta për subjektet ekonomike, duke ulur barrën dhe duke lehtësuar procedurat tregtare. Nëpërmjet digjitalizimit, proceset racionalizohen, duke reduktuar vonesat dhe kostot.

Nga këndvështrimi i vozitësit të kamionit dhe kompanisë së tij, zbatimi i sistemit SEED ka disa avantazhe kyçe: ulje të kohës së pritjes në pikat kufitare, inspektime dhe burokraci të thjeshtuara, kosto më të ulëta transporti për mallrat, duke përfshirë logjistikën e përgjithshme – derivatin, orët e punës dhe shpenzimet për automjete.

Nëse e vëzhgojmë këtë proces nga roli i doganierit, si një zyrtar që inspekton mallrat që hyjnë ose dalin jashtë vendit për të siguruar respektimin e ligjeve dhe rregulloreve, gjërat sërish ndryshojnë ndjeshëm. Përpara krijimit të sistemit SEED, doganierët mbështeteshin në sasi të mëdha të dokumentacionit fizik dhe kontrolle manuale. Procesi përfshinte shqyrtimin dhe krahasimin e dokumenteve në letër si fatura, certifikata, deklarata, si dhe dërgimin e mallrave për kontroll fizik për verifikim. Me sistemin SEED, ky proces bëhet më efikas dhe më i automatizuar. Zyrtarët doganorë kanë qasje në të dhënat dhe dokumentet elektronike, duke lejuar verifikimin më të shpejtë, përputhjen automatike të të dhënave, si dhe identifikimin e risqeve të mundshme. Kjo thjeshton procedurat doganore, zvogëlon kohën e nevojshme për inspektim, si dhe siguron saktësinë e informacionit. Si rezultat, kjo sjell qarkullim më të shpejtë të mallrave përtej kufijve dhe në përgjithësi funksionim më efikas të flukseve tregtare.

T’i lëmë numrat të flasin

Falë lidhjes përmes SEED, brenda vetëm një viti koha e pritjes në pikat kufitare është reduktuar për 7 minuta për kamion. Pritja mesatare në të gjitha vendkalimet e CEFTA-s në vitin 2023 ishte 86 minuta dhe, marrë parasysh se këtë vit kishte mbi 1,300,000 kalime me kamionë, kjo paraqet një ulje totale të kohës së pritjes për 17 vite në vitin 2023. Ulja më e ndjeshme, për 19 për qind, ishte për mallrat e shoqëruar me certifikata fitosanitare, që është rezultat i mundshëm i shkëmbimit elektronik të certifikatave fitosanitare të prezantuara përmes SEED në fund të vitit 2022.

Si funksionon SEED?

Që nga zbatimi i tij në vitin 2010 e deri më sot, sistemi SEED e ka përmirësuar menaxhimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, duke nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet administratave doganore. Me kalimin e viteve, ai ka kontribuar ndjeshëm në tejkalimin e joefikasitetit, procedurave komplekse dhe të gjata. Për më tepër, ai ka kontribuar në reduktimin e risqeve të sigurisë në rajon. Një nga përfitimet e tij të rëndësishme është padyshim tregtia pa letra pasi që SEED eliminon nevojën për dokumentacion fizik.

I mbështetur nga mjetet financiare të Bashkimit Evropian, ai ka mundësuar vendosjen e kornizave ligjore për shkëmbimin e të dhënave në mbarë rajonin, bazuar në Memorandumet e Mirëkuptimit të nënshkruara ndërmjet autoriteteve doganore fqinje dhe Protokollit Shtesë 5 të CEFTA-s, i cili i konsolidon dhe përgjithëson specifikimet nga Memorandumet e Mirëkuptimit. Secili autoritet doganor ka miratuar udhëzime operative dhe udhëzime për përdorimin e sistemit SEED. U krijua infrastruktura e TI-së dhe një sistem operacional 24/7, duke përfshirë linjëzimin automatik të të dhënave doganore dhe një modul alarmi të bazuar në të dhëna përpara se kamionët të mbërrijnë në kufi. Infrastruktura e SEED-it bazohej në 7 nyje të SEED-it (Tiranë, Banja Llukë, Podgoricë, Shkup, Beograd, Prishtinë dhe Romë), ku secila nyje konsiston në serverë dhe pajisje komunikimi të SEED-it.

Zgjerimi në SEED+

Për të vazhduar ndikimin e tij pozitiv në flukset tregtare, lindi nevoja për të përmirësuar sistemin SEED me funksione dhe aftësi shtesë që rrjedhin nga Protokolli Shtesë 5 (AP5). Kështu, u zhvillua SEED+.

Nga një platformë për shkëmbimin e të dhënave doganore brenda CEFTA-s, sistemi evoluoi në një platformë TI që mbështet digjitalizimin e plotë të politikave të CEFTA-s, duke mundësuar shkëmbim efikas të të dhënave dhe dokumenteve në sektorë të ndryshëm të tregtisë si doganat, kontrolli veterinar dhe fitosanitar, kontrolli i shëndetit publik, mbikëqyrja e tregut, dhe sektorë të tjerë.

Gjatë tri viteve të fundit, proceset kanë evoluar drejt adoptimit të sistemeve aktuale të BE-së dhe përshtatjes së tyre me nevojat tona, duke mbështetur rrugën e CEFTA-s drejt Bashkimit Evropian. Këto sisteme të reja, si TRACES NT (Teknologji e re për kontrollin e tregtisë dhe sistemin e ekspertëve), mundësojnë tashmë shkëmbimin e certifikatave fitosanitare dhe veterinare, si dhe shkëmbimin e lejeve për import dhe eksport të barnave që përmbajnë substanca të kontrolluara. Kjo storje ka potencial të jashtëzakonshëm për përmirësime të mëtejshme, kështu që aktualisht po punohet për krijimin e një baze të të dhënave të operatorëve të autorizuar ekonomikë në CEFTA (AEOS) për të lehtësuar lëvizjen brenda CEFTA-s dhe për të krijuar një bazë të të dhënave të produkteve të pasigurta dhe jashtë standardi të zbuluara në tregun e CEFTA-s, në mënyrë që të lehtësohet parandalimi i tregtisë me produkte të tilla dhe mbrojtja e konsumatorit.

Lokomotivë për bashkëpunimin rajonal

Plani është që SEED+ i CEFTA-s të vazhdojë digjitalizimin dhe shkëmbimin e të dhënave dhe dokumenteve brenda CEFTA-s në fushat e doganave, sigurisë ushqimore, inspektimeve fitosanitare dhe veterinare, tregtisë së barnave, si dhe të zgjerohet në fusha të reja si tregtia e shërbimeve, tregtia elektronike, infrastruktura cilësore dhe me shumë. Kjo hap rrugën për një ekosistem tregtar më të begatë, krahas zbatimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.

Sistemi do të iniciojë dhe lehtësojë shkëmbimin e informacionit në fusha të tilla si autorizimet, licencat, kualifikimet, kartelat profesionale evropiane, etj., në përputhje me Protokollin Shtesë 6, si dhe vendime të përbashkëta bazuar në këtë dhe protokolle të tjera. Për më tepër, ai do të ofrojë mbështetje këshillimore kur është e nevojshme në iniciativa të tjera digjitale, siç janë Dërgesat Elektronike (e-Freight) dhe e-PoC (certifikatat elektronike të vërtetimit të origjinës), si dhe do të mbështesë operacionalizimin e marrëveshjeve, protokolleve dhe vendimeve të CEFTA-s duke përshpejtuar tranzicionin digjital në procese që mundëson lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe qytetarëve brenda CEFTA-s.

Të ngjashme