Sejdiu: Ligji për Paga ndal migrimin e mjekëve, moszbatimi i tij sjell pasoja

Prishtinë | 28 Dhj 2019 | 08:10 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pezullimi i Ligjit për Paga nga Gjykata Kushtetuese zhgënjeu mijëra punëtorë shëndetësorë, të cilët kanë pritur që në fund të dhjetorit të marrin pagat me rritje. Për të kundërshtuar këtë vendim ata mbajtëm edhe një grevë njëditore.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Basri Sejdiu, thotë për Ekonomia Online se Ligji i ri për Paga u konsiderua një ligj që ngrit dinjitetin e punëtorëve shëndetësorë, andaj moszbatimi i tij do të ketë pasoja negative.

Ai thotë se pezullimi i këtij Ligji ka ardhur në kohën kur shumë mjekë dhe infermierë janë duke u përgatitur për të lëshuar vendin, andaj shpreson se në fund do të ketë një vendim pozitiv nga Kushtetuesja.

“Ka qenë i mirëseardhur ky ligj i ri dhe moszbatimi i tij do të ketë pasoja negative. Sepse mund t’i sjellësh mjekëve dhe infermierëve infrastrukturë më moderne, por edhe pajisje të reja, por nëse nga aspekti material do të jenë keq, sidomos në këtë kohë kur shumë mjekë janë duke kryer kurse të gjuhës për të shkuar jashtë, nuk është i mirëseardhur. Se a ka të drejtë kushtetuesja apo jo nuk e di por në teren e shohim që më mirë kish qenë të ishte zbatuar dhe fundi i dhjetorit pagat të dilnin të rritura. E kundërta nuk është e mirë por mbesin me shpresë që të ketë një zgjidhje më të mirë”, thotë ai.

Sejdiu thotë se për të parandaluar ikjen e mjekëve po mundohen të punësojnë mjekë specializantë, megjithatë thotë se vetëm ngritja e pagave do të ndalte migrimin e tyre.

“Ne ju kemi ofruar punë rreth 300 mjekëve të rinj që është një numër shumë i madh. Ka raste sporadike kur edhe mjekët e lëshojnë vendin e punës dhe ikin jashtë, por kemi edhe raste kur nga jashtë kthehen këtu për të punuar. Por po e them që pagat e ngritura ndoshta do të jenë motivim shtesë në të ardhmen që të ketë interesim më të madh të mjekëve dhe infermierëve të qëndrojnë në vendin e tyre”, thotë ai për EO.

Një problem tjetër me të cilin po ballafaqohet sistemi shëndetësor, sipas kreut të ShSKUK-së është edhe koncentrimi i mjekëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke lënë mangësi të stafit në spitalet rajonale.

Ai thotë se QKUK-ja është e mbingarkuar me staf, andaj fton mjekët që të konkurrojnë edhe në spitalet nga ata vijnë.

“Kemi punësuar mjaftë mjekë specialistë dhe kemi përkrahë mjekë të profileve të ndryshme dhe konkursi që është shpallur është llogaritur që të gjithë të kenë vende të punës dhe në atë formë kemi vepruar. Ne kemi vepruar në atë mënyrë që nuk e kemi hapur konkursin vetëm për QKUK, por edhe për spitale regjionale. Aty kemi pasur mangësi që disa kanë hezituar të konkurrojnë nëpër spitale rajonale dhe na ka shkaktuar kokëçarje, duke i pasur tendencat që të gjithë të punësohen në QKUK e që është e pamundur që të rregullohet kjo çështje kur dihet se është një staf i stërngarkuar, ndërsa spitalet të tjera vuajnë nga mungesa”, thotë ai.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës javë më parë vendosin që të pezullohet zbatimi i Ligjit për pagat në sektorin publik në kohë zgjatje deri më 30 mars 2020.

Ligjin për Paga, më 6 dhjetor të këtij viti në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

I njëjti ishte miratuar në muajin shkurt të këtij viti, kurse në fillim të këtij muaji ka hyrë në fuqi.

Të ngjashme