Qeveria e Kosovës po mundohet që pensionistët t’i trajtojë si raste sociale e jo ashtu siç ju takon me ligj. Kështu ka thënë nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, gjatë një konference për medie të mbajtur sot.
“Mungesa e mos dijës nga kjo Qeveri për zgjidhjen e problemit të pensionistëve po shfaqet përsëri . Në vitin 2001 është vendosur një sistem i pensionistëve, që nga ajo periudhë e deri më tash, ky sistem pensional ka çaluar dhe nuk është zhvilluar në asnjë formë, kështu duke i lënë pensionistët në mëshirën e politikave dhe menaxhimeve ditore”.
“Qeveria po prezanton politikat që nuk trajtojnë asnjë nga kërkesat e pensionistëve. Qeveria po synon që të gjithë ata që janë mbi moshën 65 vjeçare t’i trajtojë si raste sociale e jo si pensionistë që është me ligj”, u shpreh Sejdiu.
Sejdiu, po ashtu tha se kjo Qeveri nuk e ka mbajtur premtimin e themelimit të fondit për pensionistët.