Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka deklaruar se ndryshimet klimatike janë “një faktor rëndues” për terrorizmin, pasi që sipas tij rënia mjedisore në botë e vë çdo rajon të paqëndrueshëm ose luftarak në rrezik më të madh të kërcënimeve të sigurisë.
Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Guterres ka deklaruar se vendet më të cënueshme ndaj krizës klimatike janë gjithashtu ato vende që vuajnë nga pasiguria, varfëria, qeverisja e dobët dhe plaga e terrorizmit, shkruan Independent.
Ai ka thënë se kur ndryshimi i klimës ndikon në humbjen e mjeteve të jetesës dhe i lë popullatat në dëshpërim, atëherë premtimet për mbrojtje, të ardhura dhe drejtësi – pas të cilave terroristët mund të fshehin planet e tyre të vërteta – bëhen më tërheqëse.
“Kjo shkon një hap më tej kur ndryshimet klimatike pengojnë aftësinë e institucioneve qeveritare për të ofruar shërbime publike, duke nxitur ankesa dhe mosbesim ndaj autoriteteve”, ka thënë Guterres.
Duke u bërë thirrje 15 anëtarëve të Këshillit të pranishëm për të mbrojtur komunitetet më “të cenueshme” në mbarë botën, shefi i OKB-së përshkroi mënyra për të shkëputur lidhjen midis klimës dhe çështjeve të lidhura me terrorin, duke përfshirë sigurimin që vendet e zhvilluara të qëndrojnë në rrjetin e tyre.
Guterres ka përmendur rajone të shumta afrikane, duke thënë se do të ishte thelbësore që misionet e paqes në të gjithë kontinentin t’u jepeshin fondet që ju nevojiten për të luftuar grupet terroriste dhe ndikimin e tyre në rritje.
“Rreth liqenit Çad, grupi xhihadist Boko Haram ka qenë në gjendje të fitojë rekrutë të rinj, veçanërisht nga komunitetet lokale të zhgënjyera nga mungesa e mundësive ekonomike dhe aksesi në burimet thelbësore”, ka deklaruar ai në takim.
Situata e njëjtë ka ndodhur edhe në Malin qendror, ku grupet terroriste kanë shfrytëzuar tensionet në rritje midis barinjve dhe fermerëve për të rekrutuar anëtarë të rinj nga komunitetet blegtorale, të cilët shpesh ndihen të përjashtuar dhe të stigmatizuar.
Prodhimi i qymyrit në Somali është bërë gjithashtu një burim të ardhurash për grupin ekstremist al-Shabab, duke treguar nevojën globale për një reduktim dhe ndalim eventual të prodhimit të lëndëve djegëse fosile.
Guterres ka bërë të ditur se një situatë e njëjtë është duke ndodhur edhe në vende të tjera si Irak e Siri, ku grupi militant ISIS po shfrytëzon mungesën e ujit për të marrë kontrollin e infrastrukturës së ujit, në mënyrë që të imponojë vullnetin e tij mbi komunitetin.
Ai ka bërë thirrje për veprime kolektive në mënyrë që të parandalohen këto veprime.
Në fund, Guterres ka thënë se konfliktet dhe terrorizmi nuk ndodhin në vakuum, por janë rezultat i thyerjeve të thella në shoqëri si varferia, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe qeverisja e dobët.