Sekretari i Shtetit në Gjermani largohet për nepotizëm

Prishtinë | 18 Maj 2023 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Megjithëse u konsiderua i vonuar, ministri i Ekonomisë, Habeck e largoi nga detyra për nepotizëm Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, Patrick Graichen. Zgjidhje tjetër Habeck nuk kishte.

Patrick Graichen, Sekretari i Shtetit për Energjinë në Ministrinë Gjermane të Ekonomisë dha të mërkurën dorëheqjen. Bashkëpunëtori i ngushtë i ministrit të Ekonomisë, Robert Habeck, u vu në shënjestër të kritikave për shkak se mori pjesë në përzgjedhjen e një kandidati për kreun e Agjencisë Gjermane të Energjisë (Dena), i cili ishte ish-politikani i Gjelbër nga Berlini, Michael Schäfer, edhe dëshmitar martese i Graichen. Sekretari i Shtetit nuk e zbuloi  këtë detaj në fillim.

Habeck flet për “parregullësi”

Habeck njoftoi dje (17 maj) në një konferencë për shtyp se Graichen po pensionohet para kohe, gjë që, siç tha ai, u vendos mbrëmë në një bisedë të përbashkët. Ministri iu referua edhe parregullsive të tjera. Ky është një promovim i planifikuar në kuadër të nismës kombëtare për mbrojtjen e klimës. Në nëntor të vitit të kaluar, Graichen rekomandoi dhënien e e një shume prej 600,000 euro për një projekt të degëve të Berlinit të organizatës për mbrojtjen e mjedisit BUND. Në bordin drejtues të kësaj organizate është edhe motra e Graichen, Verena.

“Njerëzit bëjnë gabime,” tha Habeck, duke shtuar se “këtu kanë ndodhur tepër gjëra”. Një pasardhës duhet gjetur sa më shpejt që të jetë e mundur, më së miri para pushimit veror parlamentar. Siç theksoi ministri, bëhet fjalë për “mbrojtjen e besimit në punën e kësaj shtëpie si institucion” dhe për “ruajtjen e aftësisë për të vepruar politikisht”.

Ministri nën presion

Pasi dëshmoi para Komitetit të Energjisë, Ekonomisë dhe Ndryshimeve Klimatike të mërkurën e kaluar, Habeck ishte ende në mbrojtje të Graichen. “Kam vendosur që Patrick Graichen nuk duhet të shkojë për shkak të këtij gabimi,” tha ai pas një seance dëgjimore dy orë e gjysmë përpara komisioneve.

CDU/CSU kërkojnë hetime

Përfaqësuesve të opozitës nuk u bënë përshtypje këto sqarime pas marrjes në pyetje, pasi besonin se kishte pyetje të tjera të hapura që duhen sqaruar. U kërkua edhe dorëheqja e Graichen. Përfaqësuesit e partive të Unionit CDU/CSU propozuan krijimin e një komisioni hetimor.

Ka pasur edhe kritika për marrëdhënie të tjera personale. Pra, motra e Graichen është gruaja e Michael Kellner, sekretari i dytë i shtetit në atë ministri. Ajo, si vëllai tjetër i saj, punon në Eco-Institut (Öko-Institut), i cili kryen kërkime për qeverinë federale. Ministria theksoi se Kellner dhe Graichen nuk ishin të përfshirë në vendimin për t’i dhënë punë Eko-Institutit. Por opozita pohon se kanë mbetur edhe ca gjëra që duhen sqaruar deri në fund.

Të ngjashme