Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka deklaruar se kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, është përgjegjës për thirrjen e seancës së ardhme rreth konsituimit të Kuvendit. Ky reagim i Krasniqit vjen pas deklaratave të kryesuesit Adem Mikullovci i cili sot ka deklaruar se seanca do të thirret në momentin kur atë e njofton sekretariati i Kuvendit se ndonjëra nga partitë ka arritur t’i bëjë numrat.
“Kurdo që kryesuesit të njofton për seancë ne përgatitemi. Ësht5ë detyrë e kryesuesit që ta thërrasë seancën”, ka thënë Krasniqi për Express.
E ndërkohë që kryesuesi, deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga radhët e VV’së, Adem Mikullovci, ka deklaruar për Telegrafin se seanca do të thirret në momentin kur atë e njofton sekretariati i Kuvendit se ndonjëra nga partitë ka arritur t’i bëjë numrat.
“Nuk ka seancë deri sa të më thërret sekretariati i Kuvendit e të thotë caktoje seancën se PAN-i i ka bërë numrat ose ndonjë koalicion tjetër. Unë nuk jam i sigurt kur mundet me pas seancë”, ka thënë Mikullovci. Ai ka theksuar se deri më tash të gjitha seancat që janë mbajtur, i ka thirr në koordinim me partinë e tij VV dhe koalicionin LAA.
“Asnjë seancë nuk e kam thirr në krye veti, gjithmonë duke u marrë vesh me zyrën e kuvendit me partinë time VV dhe koalicionin LAA, gjithmonë në koordinim me ta përpos mbledhjes së fundit që kam caktuar më 24 gusht e që këtë e kërkoi PAN-i”, tha Mikullovci.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare në Kosovë u organizuan më 11 qershor. Përmes votës, qytetarët zgjodhën 120 deputetët e përbërjes së re të Kuvendit. Megjithatë, Kuvendi mbeti i pakonstituuar, pavarësisht se seanca inauguruese ka nisur që nga 3 gushti.
Pa konstituimin e Kuvendit, nuk mund të bëhen hapat tjerë kushtetues e ligjor për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.