Ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi, ka deklaruar se problemi në krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova, është mendësia politike e Kryeministrit Albin Kurti, që sipas tij, është mendësi e rrezikshme dhe manipuluese e së majtës ekstreme.
Selimi ka shkruar në Facebook se me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike po preket klasa e mesme e shoqërisë, e cila do ta paguajë rrymën për të pasurit.
“Kryeministri Kurti po përballet me një krizë serioze që nga marrja e pushtetit. Kjo krizë është çështja e energjisë. Unë mendoj që problemi në këtë krizë është mendësia politike e KM Kurti e që është mendësi e rrezikshme manipuluese e së majtës ekstreme. Për herë të parë kjo mendësi që krijon politika publike e ka sulmu klasën e mesme kosovare. Me këtë ngritje të çmimeve klasa e mesme, puntorë, mësues, profesorë, shërbyes civil dhe të punësuar tjerë e mbajnë barrën që ta paguajnë rrymën për të pasurit”, ka shkruar Selimi.
Selimi thotë se klasa e mesme në Kosovë është ajo që bën kthesa politike, e sipas tij, Kurti i ka shpallur luftë kësaj klase.
“Klasa e mesme në Kosovë është pjesa më e madhe e atyre që bëjnë kthesa politike. Sot KM Kurti ju ka shpallë luftë. Këtë e ka bërë sepse refleksi i tij ideologjik është për të shkatërruar çdo klasë shoqërore. Kjo, duke i manipuluar të varfrit dhe duke i kooptuar të pasurit, tërë kohën mbi barrën e klasës së mesme”, ka shkruar Selimi.
Ai e ka quajtur Kurtin “profet i barazisë”, duke thënë se tani po i përkrah të pasurit duke i amnistuar bizneset e tyre nga ngritja e çmimit të energjisë.
“Profeti i barazisë sot i përkrahë të pasurit duke i amnestuar bizneset e tyre nga ngritja e çmimit të energjisë dhe i ngarkon shumicën e qytetarëve që jetojnë ndershëm me një rrogë. Politikat publike të kësaj qeverie do të shkaktojnë krizë sociale, ironikisht duke promovuar me mashtrim barazinë”, ka shkruar Selimi.