Selmanaj tha se ka dëgjuar se të burgosurit në Dubravë po presin 10 ditë për t’u pastruar, flasin nga burgjet

Prishtinë | 07 Maj 2024 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mohuar pretendimet se të burgosurve në Burgun e Dubravës po u duhet të presin deri në 10 ditë për t’u pastruar, duke iu referuar deklaratës së sotme të deputetit të LDK’së, Driton Selmanaj.

Në një përgjigje për Express, zëdhënësi i ShKK’së, Florent Gashi, ka thënë se në Dubravë dhe burgjet tjera, pastrimi i të burgosurve kryhet në përputhje me rutinat ditore.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se pretendimet në fjalë nuk qëndrojnë. Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, si edhe në të gjitha institucionet korrektuese, pastrimi i të burgosurve kryhet dhe vazhdon të kryhet në përputhje me rutinat ditore”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Ndryshe, Selmanaj tha se ka dëgjuar se në Burgun e Dubravës, të burgosurve po u duhet të presin deri në 10 ditë për t’u pastruar.

Këtë deklaratë, ai e dha në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, ku deputetët biseduan për një seri vizitash që do t’i bëjnë nëpër disa agjenci dhe institucione në Kosovë, që bien në fushëveprim të këtij Komisioni.

“Por mendoj që është shumë mirë me shku me i pa nga afër, qysh kemi shku në Danimarkë dhe kemi hy edhe në dhoma të burgosurve, me i pa kushtet fizike edhe mundemi me folë me ndonjë vetëm për ushqim e kështu. Se dëgjova që për shembull në burgun e Dubravës ka me 10 ditë ndoshta që nuk munden me e shfrytëzu banjon për pastrim, deri aty ka shku. Ose dikush ka privilegje që mundet çdo ditë, po pjesa tjetër 10 ditë duhet me pritë”, tha Selmanaj.

Të ngjashme