Sëmundjet malinje sfidë për sistemin shëndetësor 

Prishtinë | 06 Shk 2017 | 11:44 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mjekë të shumtë janë mbledhur në tryezën shkencore, e cila është mbajtur sot në Klinikën Infektive në QKUK për të shënuar “Ditën botërore kundër Kancerit”, të organizuar nga Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit (BNKK).

Në këtë tryezë shkencore u theksua se sëmundjet malinje janë sfidë për sistemin shëndetësor në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se sfidat e shëndetësisë dhe sëmundjet e shumta po vijnë duke u shtrirë dhe duke u ndërlikuar.

Ai ndër të tjera tha se sëmundjet malinje po janë shkaktaret të cilat po ndërlikojnë sistemin e shëndetësisë duke përfshirë këtu edhe Kosovën.

“Kosova dhe sistemi shëndetësor i saj padyshim po ballafaqohet me këtë problematikë duke provuar se kemi mundësi dhe kemi potencial njerëzor dhe profesional së bashku me shoqërinë civile të rrisim shkallën e reagimit në nivelet më të larta të mundshme”, ka thënë ai.

“Kemi kaluar nëpër faza të rënda të ngritjes së funksioneve së infrastrukturës dhe ngritjes së kuadrove profesionale, tash mund të flasim për një institucione të konsoliduar ku trajtohen rastet me sëmundje malinje dhe kemi një koordinim të mirë mes politikëbërjes dhe nevojave të institucioneve dhe adresimit të nevojave urgjente të pacientëve dhe qytetarëve”, ka theksuar Rrahmani.

Kurse Mybera Mustafa, këshilltare e ministrit Rrahmani por njëherësh edhe doktoreshë në Qendrën Klinike Universitare, në emër të Zyrës së kryeministrit përshëndeti tryezën shkencore për Ditën e Kancerit duke thënë se kjo tryezë ndikon në vetëdijshmin e qytetarëve.

“Është për t’u përshëndetur puna e Bordit nacional kundër Kancerit dhe të gjithë aktorëve të tjerë, profesionist shëndetësor, të cilët në çfarëdo mënyrë kontribuon në organizimin e kësaj tryeze shkencore e cila kontribuon në vetëdijesimin e qytetarëve për këtë sëmundje dhe njëherësh edhe njëherësh ndikon në kontributin e aktorëve shëndetësor për luftimin e kësaj sëmundje masovike, e cila nuk është ngjitëse, por që ka përshirë tërë rruzullin tokësor edhe neve si Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Në këtë tryezë u tha se rastet e reja për vit janë 14 milionë në tërë rruzullin tokësor, kurse në vitin 2030 pritet të jenë 21 milionë. Ndërsa, llojet e kancerit të cilat janë më të shpeshta janë kanceri i mushkërive, i prostatës dhe ai i lukthit.

Të ngjashme