Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka bërë të qartë se Qeveria e Kosovës nuk do të mundë ta bindë Listën Serbe që të votojë pro ndryshimeve kushtetuese për formimin e ushtrisë së Kosovës.
Ai i vendosur thotë se me asnjë logjikë të shëndoshë serbët nuk do të binden për një gjë të tillë.
Ky reagim i Gjuriqit erdhi menjëherë pas deklaratës së presidentit Thaçi, i cili tha se do ta nisë dhe do ta udhëheqë një proces të diskutimeve me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës për t’i shteruar të gjitha mundësitë e koordinimit me ta për krijimin e ushtrisë së Kosovës.
E këtë iniciativë të presidentit Thaçi, Gjuriq e ka quajtur tentim për blerje nga “separatistët” kosovarë.
Për këtë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës. Sipas tyre, serbët në Kosovë gëzojnë të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë. Kurse njohësit e çështjeve politike në vend thonë se serbët në Kosovë janë të diskriminuar pozitivisht.
Sipas tyre, Marko Gjuriq po i frikësohet përçarjes së Listës Serbe.