Serbia e lumtur që pengoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Prishtinë | 21 Dhj 2016 | 10:04 | Nga

Pengimi i hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës përmes “kapixhikut” përbën një sukses të jashtëzakonshëm për Serbinë, por ky nuk është fundi i luftës për interesat tona kombëtare.

Kështu u shpreh Aleksandra Gjuroviq, shefe e delegacionit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, shkruan sot “Politika”, transmeton Koha.net.

Delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ia ka dalë të pengojë miratimin e memorandumit që parashihte vende të caktuara për përfaqësuesit e Parlamentit të Kosovës në sallën plenare në Strazbug, si dhe mundësinë që të marrin pjesë në diskutime dhe që të propozojnë e të nënshkruajnë propozime rezolutash.

“Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për interesat tona nacionale që ia kemi dalë ta realizojmë”, ka theksuar Gjuroviq në një intervistë për të përditshmen e Beogradit, “Politika”.

Por, fatkeqësisht, siç citohet të ketë thënë ajo, “e gjitha nuk përfundon këtu, meqë ata e kanë ngarkuar zotëri Pedro Agramuntin, kryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që në të ardhmen të organizojë takim mes delegacionit tonë dhe delegacionit të Prishtinës”, siç citohet të jetë shprehur ajo për Kuvendin e Kosovës, “në mënyrë që të gjendet një zgjidhje kompromise”.

“Na pret një luftë e mëtejshme për interesat tona kombëtare. Kjo do të jetë e vështirë, tani nga Prishtina ishin në Paris dhjetë sish, ndërsa një thuaja ishte i ngarkuar vetëm për mua, dhe posa kryeja bisedën me ndonjërin, ai menjëherë takohej me të. Deri tash ja kemi dalë t’ ngadhënjejmë në katër beteja, do të përpiqemi t’i fitojmë edhe ato që do të vijnë, një nga një”, ka thënë Gjuroviq.

Sipas saj delegacioni serb vetëm para njëzet ditësh në Nikozi (Qipro) kishte marrë vesh se për seancën e jashtëzakonshme në Paris në rend të ditës ishte përfshirë ai memorandum, meqë delegacionin tonë askush nuk e kishte konsultuar, ndonëse në fillim të vitit, kur u shfaq kjo iniciativë, ishim kategorikisht kundër.

Propozimin e memorandumit e ka hartuar Vojçek Savucki, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Ndonëse Komiteti Kryesues me unanimitet e kishte hequr nga rendi i ditës, përfaqësuesit e Shqipërisë, të Britanisë së Madhe dhe të Danimarkës kishin kërkuar që ai të kthehej në rend të ditës dhe të votohej për të.

“U diskutua një orë e gjysmë, ndërsa rezultati ishte 15 ndaj 5 në favor tonin”, ka thënë Gjuroviq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme