Serbia kërkon linjë ajrore Beograd-Prishtinë

Prishtinë | 08 Shk 2017 | 17:58 | Nga

Qeveria serbe ka formuar një grup punues për normalizimin e trafikut ajror në Ballkan për të gjetur një mënyrë për vendosjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë.

Linjat ajrore në mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ekzistojnë që 18 vjet, për këtë linjë është rënë dakord edhe në njërën nga marrëveshjet e Brukselit, transmeton lajmi.net.

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka thënë se negociata për lirinë e fluturimeve të aeroplanëve civilë dhe avionëve ushtarakë mbi hapësirën e Kosovës kanë filluar.

Pjesë e këtyre negociatave do të jetë edhe ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq dhe 15 përfaqësues.

Çështja e udhëtimit ajror është trajtuar në vitin 2015 në një takim të dhomave të tregtisë në mes Serbisë dhe Kosovës.

Pala kosovare nuk dëshiron që kjo të trajtohet si çështje ekonomike por politike dhe beson se duhet zgjidhur në Bruksel.

Ndërkohë për shak të fluturimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Air Serbia” ka një interes të qartë të biznesit në krijimin e lidhjeve ajrore me Prishtinë, ka shpjeguar kryetari i Bordit Mbikëqyrës të kompanisë, Sinisha Mali.

“Një numër i madh nga Kosova, Shqipëria dhe nga një pjesë e Ballkanit kanë pasagjerë të cilët udhëtojnë për në Amerikë kështu që në kemi një interes të qartë biznesor nga Prishtina me qëllim të shfrytëzimit të rritjes së kapaciteteve për fluturime”, ka thënë Mali.

Mirëpo askush nuk e di se a do të vazhdojnë negociata në mes dy palëve për këtë çështje.

Po ashtu Serbia dëshiron edhe funksionalizimin e radarit në Kopaonik. Ky radar është ndalur në vitin 1999, pas bombardimeve të NATO-s. Radari është përdorur edhe për fluturime ushtarake edhe civile.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme