Serbia ka lansuar certifikatat e COVID-19, që do të kërkohen në mjedise të brendshme pas orës dhjetë të natës në përpjekje për të frenuar numrin e rasteve me koronavirus në shtetin fqinj.
Serbia për javë me radhë ka regjistruar mijëra raste dhe rreth pesëdhjetë të vdekur në ditë në vendin prej shtatë milionë banorësh, ku gjysma e të rriturve janë vaksinuar me dy doza.
Mijëra të tjerë kanë marrë edhe dozën e tretë të vaksinës. Autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë së shtunës janë regjistruar shtatë mijë raste të reja infeksioni dhe 60 raste fatale nga COVID-19.
Serbia ka konfirmuar një milionë raste me koronavirus prej fillimit të pandemisë dhe rreth dhjetë mijë vdekje.
Ekspertët kanë kritikuar ashpër qeverinë për vendimin për kërkimin e certifikatave në mjedise të brendshme pas orës dhjetë të natës.
Disa qytetarë kanë thënë se tepër vonë janë marrë këto masa dhe se nuk pritet të kenë ndikimin në frenimin e përhapjes së virusit.