Serbia paradite me BE-në, pasdite me Rusinë

Prishtinë | 11 Qer 2018 | 10:13 | Nga

Nënkryetarja e Qeverisë së Serbisë Zorana Mihajloviq ka deklaruar se kjo qeveri nuk do ta ndryshojë drejtimin strategjik të vendit, e ai është Bashkimi Europian duke shtuar se të gjithë ata që e udhëheqin vendin, duhet ta dëshmojnë më qartë këtë politikë, transmeton Koha.net.

“Duhet t’i ikim situatës në të cilën para dite duam në BE e pasdite me Rusinë. Askush nuk na ndalon të bashkëpunojmë me Rusinë, askush asnjë serbi nuk mund t’ia marrë të drejtën që ta dojë Rusinë dhe të na detyrojë ta anulojmë historinë. Por, udhëheqja e shtetit bëhet me kokë e jo me zemër. Rusia do të jetë gjithmonë në zemër, e koka do të jetë Europa, Perëndimi”, citon “blic” të ketë thënë Mihajloviq.

Sipas saj, Serbia dëshiron kompromis për Kosovën, jo për shkak që të merret bileta për hyrje më të shpejtë në BE, por për shkak se nga zgjidhja e saj varet e ardhmja e Serbisë.

“Konflikti i ngrirë i Kosovës, do ta ngrijë Serbinë e cila nuk do të mund të zhvillohet. Zgjidhjen nuk do të na e sjellin as Rusia dhe as Amerika, atë duhet ta bëjmë vetë. Ose ndoshta mund të presim që të na bjerë ndonjë gjë nga qielli derisa edhe serbi i fundit të largohet nga Kosova”, ka thënë Mihajloviq.

Ajo ka theksuar se në bazë të sjelljes së Vojislav Sheshelit mendon se ai po ia përgatit një të keqe kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, transmeton Koha.net.

“Po shikoj me vëmendje çfarë po bën Shesheli dhe nuk mund ta heq nga mendja se ai po ia përgatit një të keqe Vuçiqit. Sepse, si të interpretohen ndryshe provokimet e tij të rrezikshme nacionaliste dhe vizita që ua bëri vrasësve të Gjingjiqit. Dhe tash i pret Legian e Zvezdanin për ta mbrojtur Kosovën! Atë që e ka mbrojtur Shesheli, ai tash nuk jeton më në shtëpi të vet”, ka thënë ndër të tjera Mihajloviq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme