Pala kosovare është mbështetur për muri nga presioni i Brukselit dhe Beogradit për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Brukseli ka bërë me dije se negociatorët nga Prishtina dhe Beogradi do të ulen në Bruksel për ta hartuar statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe për të cilin Serbia dhe Beogradi ishin marrë vesh 5 vjet më parë.
Pala kosovare e ka zvarritur gjatë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, statuti i të cilit mendohej se do të hartohej nga institucionet në Kosovë.
Por, tani që Serbia e ka bërë të madhe këtë punë, duke e kushtëzuar edhe pjesëmarrjen e saj në samitin e Sofjes me themelimin e Asociacionit dhe duke pasur parasysh ultimatumin e Listës Srpska se do ta themelojnë vet nëse institucionet nuk bëjnë lëvizje deri më 20 prill, në Prishtinë të gjithë po nguten.
Në Kosovë ka qëndruar zyrtarja e lartë e BE’së Angelina Eichhorst e cila përfundimisht e ka bindur palën kosovare që ta shtyjë përpara këtë cështje. Ajo po ashtu ka njoftuar se Beogradi do të jetë pjesë e hartimit të statutit.
“Ne tash do të ftojmë kryenegociatorët nga Beogradi dhe Prishtina, ekipet e tyre, si dhe Ekipin Menaxhues dhe ekspertët teknikë për diskutime në Bruksel dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në procesin e hartimit”, ka thënë Eichhorst.
E presidenti Hashim Thaci i cili është aktori kryesor i këtyre negociatave nga pala kosovare, e ka involvuar edhe Ramush Haradinajn, Kryeministrin aktual, në këtë proces. Pas takimit me Thacin, Haradinaj
Mbrëmë Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se e ka aktivizuar “ekipin menaxherial që do ta draftojë statutin për Asociacionin e Komunave Serbe”, por aty nuk thuhet se gjithçka do të ndodhë në Bruksel dhe me involimin e Beogradit.
“Draftimi i statutit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbehet nga 3 mekanizma punues: Ekipi menaxhues, Komiteti zbatues si dhe Grupi nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë” thuhet në njoftim.
Aty po ashtu theksohet se në këtë proces do të jenë të përfshirë edhe mekanizma ndërkombëtarë, “të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike”.
E Haradinaj si njëri nga kundërshtuesit e “Zajednicës”, është kujdesur që në njoftimin për media të theksojë se drafti i statutit të Asociaconit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.