Serbia shkel marrëveshjen për qarkullim me letërnjoftime , Kurti thotë se Bislimi u ka treguar në Bruksel

Prishtinë | 07 Sht 2022 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Marrëveshja për qarkullim vetëm me letërnjoftime nuk po respektohet nga ana e Serbisë në disa pika kufitare. Bëhet fjalë për pikën kufitare në Muhovc ku s’pranohen letërnjoftimet e Republikës së Kosovës. Aty s’pranohet as kalimi me tabela Republikës së Kosovës, derisa makinat me tabela të Serbisë që synojnë Kosovën nuk iu kërkohet fare ngjitja e stikerave

Një banor i asaj ane ka thënë që në atë pikë kufitare mund të kalohet vetëm me letërnjoftim të Serbisë.

“Veç me letërnjoftim të Serbisë. Mundesh edhe me të Kosovës por vetëm kur ka shqiptarë”, ka thënë një banorë.

Në këtë pikë kufitare s’lejohet as kalimi me tabela të Republikës së Kosovës.

“Me desht të kthen me desht s’të kthen. Po këtu hiq s’te lënë, as me tabela të mbuluara as të shpluara”, ka thënë një banor tjetër që ia kishte mësy kalimit përmes pikës kufitare në Muhovc.

Derisa makinave me tabela të Serbisë që ia mësyjnë Kosovës përmes këtyre pikave kufitare nuk iu kërkojnë fare ngjitjen e stikerave.  

“Si mlojnë këta. Teknej me ardhe me stikersa duhesh me i heq”, ka thënë një qytetar tjetër.

Një gjë të tillë e ka vërtetuar që është afruar dhe ka pyetur një polic kufitar, se a mund të kalohet me letërnjoftim të Kosovës.

“Veç në Koncul. Tjerët s’kanë të drejtë me kalu. S’e këta s’bojnë në Novosellë, Muhovc edhe në Breznicë.”, dëgjohet teksa thotë një polic kufitar për T7, shkruan Express.

Lidhur me këtë ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka lënë të kuptohet se për këtë gjë Besnik Bislimi është duke biseduar me ndërmjetësuesit e marrëveshjes.

“Ne kemi insistuar për liri të lëvizjes, dhe ajo do të nënkuptonte liri të plotë të lëvizjes, meqenëse liria e cunguar nuk është liri, dhe këtë gjë zv.kryeministri është duke e adresuar edhe me ndërmjetësit”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Të ngjashme