Sërish dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e punëtorit në Deçan

Prishtinë | 18 Sht 2020 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Për të tretën herë radhazi nuk ka arritur të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, i cili ngarkohet për vrasjen që kishte ndodhur në shtator të vitit 2018 në Deçan, duke e privuar nga jeta të ndjerit Agonis Tetaj.

Ai po akuzohet për dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa Jusuf Cacaj po akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa e kryetares së trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova dhe anëtares së trupit gjykues, Florie Zatriqi.

Sipas zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti arsyeja e mungesës së gjykatësve ishte për shkaqe shëndetësore.

Në Gjykatë nuk ishte prezent mbrojtësi i të pandehurit, avokati Besnik Berisha dhe as të dëmtuarit përveç prokurorit të rastit Agron Uka.

Prokurori i rastit Agron Uka, për “Betimi për Drejtësi”, konfirmoi se nuk ishte njoftuar për shtyrjen e seancës së sotme dhe as për seancën e 11 shtator 2020, e cila gjithashtu kishte dështuar.

Ndryshe, këtë çështje penale fillimisht e ka përfaqësuar Prokuroria Themelore në Pejë, por me arsyetimin se ajo ka shfaqur njëanshmëri, kërkesë për përjashtimin e saj nga ky rast, kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Besnik Berisha, të cilën kërkesë e kishte aprovuar Prokuroria e Apelit.

Tashmë kjo lëndë është duke u përfaqësuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Sipas aktakuzës së ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, e akuzon  të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj, dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë, nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut, kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë, dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr dhe menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme