Serwer: Kjo është koha për ushtrinë e Kosovës

Prishtinë | 31 Jan 2017 | 09:36 | Nga

Të qenit pro dialogut do të thotë mbështetje për sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, ka deklaruar analisti i njohur amerikan Daniel Serwer në një intervistë për “Radio Televizionin e Kosovës”.

Serwer ka thënë se tashmë ka ardhur koha për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Dialogu është mjeti për ta realizuar qëllimin dhe në vetvete nuk e përbën qëllimin. Dialogu duhet të prodhojë rezultate për njerëzit në Serbi dhe në Kosovë. Mendoj se këtë e ka bërë në të kaluarën dhe do të bëjë përsëri në të ardhmen.

Nuk kam informacione për ndonjë propozim për ta ndryshuar formatin që mund të sjellë përmirësime të qarta. Mund të besoj se ekziston një rrugë tjetër për ta realizuar këtë dhe që do të funksiononte më mirë.

Por dikush duhet të tregoj se cili është ky propozim dhe përse është më i mirë. Mendoj se deri tani ka funksionuar mjaft mirë”, ka deklaruar Serwer.

Ai ka thënë se duhet kujtuar se nga të dyja anët, ka mjaft ndenja të forta dhe të thella, sa i përket dialogut dhe nuk është reale të priten rezultate shumë të shpejta.

“Dialogu ka prodhuar disa rezultate dhe do të prodhojë edhe rezultate të tjera dhe besoj se në fund do të prodhojë rezultate shumë të mira.

Dhe nëse ka metoda të përmirësuara le ti përdorim por nuk kam parë ndonjë prej këtyre propozimeve.

Mendoj se në këtë lloj dialogu duhet të prodhohen rezultate për të dyja palët dhe ato duhet të jenë të balancuara në mënyrë të arsyeshme dhe mendoj se ky ka qenë rasti në të kaluarën”, u shpreh Serwer.

Serwer theksoi se në Kosovë aktualisht po ballafaqoheni me shumë çështje të vështira siç është marrëveshja për asociacionin e komunave serbe, e cila është sidomos e vështirë sa i përket Prishtinës, sipas tij ka gjëra të tjera që janë të vështira në anën e Beogradit. Rezultati duhet të jetë i balancuar në mënyrë të arsyeshme.

“Nuk kam parë një propozim që do të përdorte ndonjë modalitet tjetër por më e rëndësishme është që ata që propozojnë që të ndalet dialogu, kjo si dialogu, ndodhë pjesërisht, për shkak se Kosovën e vë në një pozitë të barabartë me Serbinë dhe e rritë shtetësinë e Kosovës dhe ky për mua është një qëllim i rëndësishëm.

Por disa njerëz nuk janë të interesuar në shtetësinë e Kosovës por janë të interesuar në bashkimin me Shqipërinë apo diçka të ngjashme.

Sipas pikëvështrimit tim nëse jeni patriotë kosovarë atëherë e mbështesni dialogun dhe nëse do ta shkrini Kosovën me një shtet siç është Shqipëria atëherë mund të jeni kundër dialogut.

Fatmirësisht shumica e kosovarëve e mbështesin shtetësinë, pavarësinë edhe sovranitetin e Kosovës ashtu siç e mbështesë unë.

Po mendoj se tashmë ka ardhur koha. Mendoj se Kosova duhet të ketë ushtrinë e vet por për çfarë do të përgatitet të bëjë kjo forcë ushtarake në rrethanat politike dhe diplomatike të Kosovës”, tha ai.

Analisti amerikan tutje shoti se nëse Kosova njihet shtet nga Beogradi mund ti orientojë forcat e saja ushtarake më pak drejt mbrojtjes e më shumë drejt pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare ashtu siç kanë bërë disa shtete të Ballkanit.

Andaj sipas tij çështja e dialogut dhe e ushtrisë, e asaj se çfarë është e aftë të bëjë kjo ushtri janë mjaft ngushtë të lidhura.

“Nuk më pëlqen kjo ide dhe nuk më pëlqen kjo analogji me Krimenë e cila është marrë me forcë nga Rusia. Derisa Kosova është pavarësuar si pjesë e një aksioni ndërkombëtar, është mbështetur nga shumë shtetet dhe jo vetëm nga SHBA-të.

Krimea kurrë nuk është administruar nga administrata e OKB-së siç ishte rasti me Kosovën. Rusishtfolësit në Krime kurrë nuk kanë vuajtur si shqiptarët në Kosovë.

Kjo është një analogji fallco e krijuar nga Vlladimir Putin dhe nuk më tërheq fare”, tha Serwer.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme