“Sezoni Veror” – plani operativ i Policisë së Kosovës për bashkatdhetarët

Prishtinë | 20 Kor 2019 | 07:53 | Nga Pranvera Behluli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Policia e Kosovës ka filluar me zbatimin e planit operativ  “Sezona Verore” që ka të bëjë me sigurinë e qytetarëve, tani në këtë periudhë kur fluksi i bashkatdhetarëve është më i madh.

Drejtori i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti, në një intervistë për Ekonomia Online po thotë se policia ka edhe plane të tjera për shpejtësi, alkool, rrip të sigurisë, xhama të zi dhe parkingje të parregullta.

“Policia e Kosovës angazhohet në vazhdimësi që gjendja e sigurisë në vend të jetë stabile përmes planeve operative të ndryshme. Në këtë periudhë kohore që po flasim e kemi të aktivizuar planin operativ ‘Sezona Verore’,  ku në të ngërthehen të gjitha rastet që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve duke përfshirë trafikun, ka plane të vazhdueshme për shpejtësi, alkool, rrip të sigurisë, xhamatë zi, parkingje të parregullta”, tha Ahmeti.

Ai u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të kenë kujdes të shtuar në trafik.

Apeloi që të mos përdorin armët në ahengje të ndryshme.

Tani kemi një fluks më të madh tani të bashkatdhetarëve dhe kujdesimi që siguria në trafik të jetë më në nivel, gjithmonë që duke i bërë thirrje edhe bashkatdhetarëve që pushimet e tyre ti kalojnë në familje, në qetësi dhe t’i respektojnë rregullat e trafikut, të mos i përdorin armët në ahengje të ndryshme.

Ai për Ekonomia Online thotë se gjatë kësaj periudhe gjashtë mujore, 3 mijë shoferëve iu është marrë e drejta e vozitjes nga 3 deri 24 muaj si dhe 7 mijë të tjerëve iu janë vendosur pikë negative.

“Gjatë kësaj periudhe kemi pas 3 mijë shoferë të cilëve iu ka ndaluar drejtimi nga 3 muaj deri 24 muaj dhe 7 mijë të tjerëve të cilëve u janë vendosur pikë negative. Është numër jashtëzakonisht i madh dhe vërtetë ne mundohemi që çdoherë shoferët, pjesëmarrësit në trafik të jenë të disiplinuar dhe të sigurt që të mos shkaktojnë ndonjë rrezik për ta dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik”.

Ahmeti në këtë intervistë ka folur edhe numrin e veprave penale në gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Ai tha se këtë vit ka ulje për -9.96 për qind të veprave penale krahasuar me periudhën gjashtë mujore të vitit 2018.

“Situata e sigurisë në vend është relativisht e qetë, nuk ka ndonjë element të destabilizimit. Statistikat flasin për një trend shumë pozitiv të rasteve në përgjithësi, numri i veprave penale ka shënuar ulje për -9.96 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Nga 15 mijë e 37 vepra që kanë ndodhur në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti ka një rënie në 13 mijë e 539 raste të veprave penale. Rastet kanë shënuar ulje për -5.53 për qind, nga 20 mijë e 446 raste në 18 mijë 701 rast”, tha ai për Ekonomia Online.

Ai ka thënë se policia e Kosovës në baza ditore është duke zhvilluar operacione për raste të ndryshme, të vjedhjeve, grabitjeve, personave që janë të dyshuar për vrasje, krime ekonomike dhe krim të organizuar.

Të ngjashme