Këto ditë kam menduar intensivisht rreth atyre 70 milionëve që u ndanë si ‘dhuratë’ e fundvitit, ku do të përfitojnë rreth 700,000 persona. Ndoshta për ata që i ndajnë është vetëm një veprim elektoral, por kjo është një situatë me ndikim në ekonomi.
Fakti që kam menduar shumë vjen nga gjendja e bilancit tregtar. Kur kam llogaritur sa para dalin jashtë në muaj, e kam kuptuar që mbi 500 milionë do të dalin me deficit tregtar në mallra vetëm gjatë dhjetorit. E këto 70 milionë shtesë janë qershia mbi tortë për shkak se vetëm do e thellojnë këtë humbje e rrjedhje të parasë.
Në parim, është shumë mirë të shpërndash dhe t’u ndihmosh njerëzve, por qeveria është aty për të menduar për interesin afatgjatë dhe për të menduar si të mbeten ato mjete në ekonominë tonë. Si të bëhet ekonomia jonë më e fortë nesër nga ai ‘investim’ sesa është sot.
Me gjasë, qeveria ka menduar vetëm për votat e saj, e jo për efektet ekonomike. Sikur të kishin menduar, do të vepronin ndryshe. Do ta rrisnin fuqinë blerëse të familjeve, por duke e forcuar prodhimin vendor. Efekti i ngjashëm do të ishte për qytetarin dhe familjet, por më i mirë.
Qëllimi i vendimmarrësve në këtë rast ka qenë si t’u japin nga 100 euro 700,000 personave që t’i ‘obligojnë’ të votojnë për ta. E kush nuk beson, le të lexojë literaturë psikologjike. Ka shumë studime që kanë konkluduar se kur ti i jep një dhuratë një personi, ai ndien një obligim ndaj teje. Dhe po ai person do të jetë ‘nën presion’ derisa ta kthejë atë nder.
Tash kemi një sfidë si shoqëri. E quajta “Sfida Kosovare,” sepse ne duhet të bëhemi më të mençur e të zgjuar sesa qeveria jonë, të cilën e paguajmë për të marrë vendime të mira afatgjata për publikun e jo vendime për votën e tyre më 9 shkurt.
Rrjedhimisht, mjetet e ndara, shtesat, do të shpenzohen nga qytetarët kryesisht në konsum, por edhe për barna dhe faturat e energjisë. Me siguri 80% do të dalin jashtë, fatkeqësisht. Ekonomia dhe bizneset lokale nuk do të përfitojnë. Për këtë, sot e kam bërë një sfidë!
Kur kam shkuar në market, e kam sfiduar veten që të gjej dhe blej sa më shumë nga produktet vendore, që ato 100 euro të mbeten në ekonominë tonë. Dhe kështu, nga 33 artikuj që kam blerë, shumica janë vendore. Në fakt, vetëm 8 ishin nga jashtë. Nga fatura prej 44 eurosh, 33 euro janë në produkte vendore. 75% e vlerës së konsumit të shportës ka mbetur në Kosovë.
Kjo është një sukses i madh të arrish të mbushësh shportën me 75% produkte vendore. Zakonisht, edhe kur mundohesh shumë, nuk e kalon 30%; është vështirë për shkak se ne shumicën e gjërave që konsumojmë i importojmë. Për atë importet janë rreth 6 miliardë në vit dhe deficiti rreth 5.3 miliardë. Në muajt e fundit, nëntor 473 milionë, dhe po pres që në dhjetor të jetë rreth 530 milionë euro – kaq janë paratë që dalin nga ekonomia jonë.
Por kjo mund të ndryshojë nëse ne e sfidojmë veten dhe provojmë që me ato ndihma, shumicën e shpenzimeve, sidomos konsumin, ta shpenzojmë duke blerë produkte vendore. Ideja kryesore është që ato mjete t’i ndalim në ekonominë tonë, sepse ashtu shumëfishohen më tepër.
Kjo nuk është një punë e lehtë, për këtë e kam quajtur “Sfida Kosovare.” Por të sfidoj edhe ty të provosh këtë dhe t’i ndihmosh ekonomisë vendore. Sidomos t’u dërgosh porosinë atyre që marrin vendime publike, që të jenë më të kujdesshëm me shpenzimet publike.