Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka organizuar konferencën ndërkombëtare “E Ardhmja e të Drejtave të Njeriut në mes të Transformimeve Globale: Sfidat Kombëtare dhe Detyrimet Ndërkombëtare”, ku u diskutua për sfidat që po prekin sistemet e të drejtave të njeriut në nivel global, raporton Ekonomia Online.
Në hapje të konferencës, përfaqësues të institucioneve të larta të vendit theksuan domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve të pavarura, garantimin e dinjitetit njerëzor dhe mbrojtjen e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në epokën e transformimeve të shpejta.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se e ardhmja e të drejtave të njeriut po ndikohet ndjeshëm nga krizat dhe zhvillimet globale.
“E ardhmja në sfond duket e trazuar, kur kemi parasysh sfidat nëpër të cilat po kalojmë: konfliktet e hapura, agresioni ndaj Ukrainës, situata e të drejtave të njeriut dhe kriza humanitare në Lindjen e Mesme, kriza globale ekonomike, ndryshimet e shpejta teknologjike, ndikimi që sot ka zhvillimi teknologjik dhe Inteligjenca Artificiale në të drejtat e njeriut, ku algoritmat dhe mundësia e përdorimit të tyre për të ndikuar në të drejtat tona është shumë herë më i madh se sa mund të ndikojë një mekanizëm i pushtetit ose dështim i një autoriteti publik për t’i përmbushur përgjegjësitë që dalin nga ato standarde që ne i kemi vendosur. Natyrisht, në këto realitete në të cilat sot po jetojmë, është shumë e rëndësishme për të parë se sa ka vlerë dhe se sa e rëndësishme për neve është për t’i ruajtur ato parime themelore mbi të cilat brezat e tërë kanë kontribuar dhe janë angazhuar me përkushtim për t’i vendosur”, tha Qelaj.
Ish-Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, theksoi rolin e individit si qendër e sistemeve të të drejtave të njeriut.
“Në lidhje me temën e kësaj konference konsideroj se qasja ndaj saj kërkon mbështetje solide ndaj individit si bartës i të drejtave dhe lirive të njeriut. Individit si bartës, jo vetëm si numër në statistikat e përgjithshme, por si epiqendër me dinjitet të pakontestueshëm. Diskutimi për të gjitha aspektet në të cilat sot përballen shoqëritë në kohën e globalizimit është tejet i gjerë dhe i hapur. Në kontekstin global temat që po vazhdojnë të ngrenë shqetësime, dhe ku di të jetë fokusi i trajtimit, janë zhvillimet e larta të teknologjisë dhe për pasojë terreni nga ky zhvillim i hovshëm që po fiton përhapjen e propagandës dhe pretekstin për ruajtjen e sigurisë kombëtare, e shpesh herë duke u thirrur edhe në politikat e imigracionit”, tha ai.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nexhmi Rexhepi, tha se institucionet që garantojnë të drejtat e njeriut po përballen me sfida të reja dhe shumëdimensionale.
“Përballë zhvillimeve teknologjike, sfidave mjedisore, tensioneve gjeopolitike dhe po ashtu edhe rritjes së polarizimit shoqëror, institucionet që garantojnë të drejtat e njeriut gjenden sot në një provë të re dhe në një provë të madhe. Këto zhvillime na rikujtojnë se të drejtat e njeriut nuk janë të vetëqëndrueshme dhe ato mbeten të gjalla vetëm për aq kohë sa ekzistojnë institucionet e pavarura e me integritet profesional, të cilat kanë aftësi të interpretojnë e zbatojnë ligjin. Gjykata Kushtetuese e Kosovës që nga themelimi i saj ka pasur mandat të garantoj mbizotërimin e kushtetutës, të mbrojë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të ruajë ekuilibrin ndërmjet pushtetit dhe lirisë individuale”, tha ai.


