Mbi 70 mijë biznese janë dëmtuar rëndë si shkak i reduktimeve të rrymës që po ndodhin këto ditë në vend, raporton Ekonomia Online.
Prej tyre, 60 mijë biznese kanë përdorur gjeneratorë, ndërsa pjesa tjetër kanë shuar aktivitetin si shkak i mungesës së gjeneratorëve.
Kështu tha kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, në konferencën përmbyllëse për vitin 2021 me temë “Kriza energjetike dhe pasojat e saj në ekonominë e Kosovës”.
Ai tha se mbi 3 milionë euro janë shpenzimet e bizneseve të cilët kanë përdorur gjeneratorë.
“AKB-ja ka zhvilluar një studim gjatë kësaj kohë ku në vend patë ndërprerje deri në 6 ore, në regjionet e Kosovës, dhe kjo ka bërë që të ketë probleme mbi 70 mijë biznese. Kjo ndërprerje ka krijuar avari dhe dëme në ekonominë e vendit, ku prej tyre 60 mijë biznese kanë përdorur gjeneratorë, ndërsa 10 mijë të tjera nuk kanë pasur gjeneratorë dhe e kanë ndërprerë. Ata që kanë pasur gjeneratorë kanë shpenzuar mbi 3 milionë euro”, tha Shahini.
“Kosovës iu dëmtuar rëndë imazhi, ku mediet ndërkombëtare shkruanin që Kosovës iu kthye terri. Qeveria gaboi që refuzoi gazin amerikan, ku kjo do të ishte një investim i mirë. Edhe investitori që iku nga Vushtrria e që shkoi të investojë në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha këto kanë krijuar një vend për investim por Kosova i refuzoi”, tha ai, teksa shtoi se krizën e ka kapluar tërë botën.
Pronari i Kompanisë “Dino Company”, Abedin Salihu, tha se shpenzimet nga ndërprerjet e rrymës kanë qenë shumë të mëdha, madje tha se turistët që janë larguar nga Kosova për këtë shkak.
“Ne çdo punë që e bëjmë, ndërlidhet me energji dhe problemet kanë qenë të mëdha. Reduktimet kanë sjellë defekte dhe ato defekte janë të mëdha, dhe në ditë vetëm në hotelieri kam shpenzuar 1 mijë euro dhe këtë fitim nuk e kam nxjerrë”.
“Madje ka edhe turistët që janë larguar nga Kosova si shkak i mungesës së rrymës. Ajo që më befasoi TVSh-ja e gastronomisë që ishte tetë për qind, tani nga 1 janari do të jetë 18 për qind, dhe ata që e kanë marrë këtë vendim, duhet të ketë një favor. Ne kemi shumë obligim e shumë kredi që i kemi marrë, madje kemi edhe punëtorë që duhet t’i mbajmë”.
Nënkryetari i AKB-së Suat Berisha ka kritikuar institucionet për një varg dështimesh sa i përket fushës energjetike, pasojat e së cilës po i pësojnë jo vetëm biyneset, por të gjithë konsumatorët e vendit.
Ai kërkoi nga institucionet përkatëse që të ndërmarrin veprime të shpejta me qëllim të furnizimit të bizneseve e qytetarëve me rrymë 24 orë.
Ndërsa Lumnije Ajdini, drejtore menaxhuese e AKB, tha prezantoi aktivitetet e ndryshme që i kanë realizuar në vitin 2021 me qëllim të promovimit të prodhimeve e shërbimeve vendëse edhe për kundër sfidave që bizneset e Kosovës u ballafaquan nga pandemia Covid 19 ku shumë aktivitete jashtë vendit mbeten pa u realizuar.
“Gjatë takimeve të shumta me institucionet vendore e ndërkombëtare kërkuam që ti dalin në ndihmë sektorit privat duke ditur se bizneset tona përkundër pengesave që i kanë duke ia shtuar edhe pandeminë, shumë prej tyre nuk munden ta përballojnë’’, tha Ajdini.
Argjend Fetahu, kryetar i Degës së AKB-së për rrafshin e Dukagjinit, tha se 20 përqind e bizneseve të kësaj ane janë mbyllur si shkak i pandemisë dhe mos koordinimi komuna qeveri për ti dalë në ndihmë.
Sipas tij problem shqetësues mbetet kur tani është koha kur vijnë mërgimtarët për festave fund vitit dhe sipas statistikave tona si AKB, rigjenerohen të hyra të mëdha, por tash në këtë periudhë për shkak të mungesës së energjisë ka humbje në vlera milionëshe.
Sipas tij kjo situatë edhe më shumë e ka dëmtuar ekonominë e rrafshit të Dukagjinit.
“Ne si AKB kemi pranuar informata të sigurta nga bizneset të cilët kanë prova që puntorët e KEDS-it në Gjakovë, me urdhër nga menaxhmenti i papërgjegjshëm me dashje kanë hequr siguresat nga trafot të cilat zona kanë qenë me ngarkes më të madhe të rrymës, ku në ato pjesë kanë janë biyneset prodhuese e përpunuese e tjera’’, tha Argjend Hasani.
Ai tha se si AKB kërkojnë nga organet përgjegjëse të merren me këto raste dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.