Duket se Xherdan Shaqiri është duke planifikuar të jetojë në të ardhmen në qytetin zviceran Rheinfelden, pasi ka marrë leje për ndërtimin e një vile atje.
Ylli i Liverpoolit dhe Kombëtares së Zvicrës, i lindur në Kosovë, ka marrë leje nga komuna e Rheinfelden për ndërtimin e një vile luksoze në këtë qytet.
Rehinfelden ndodhet në kantonin e Aargaut, 15 kilometra në lindje të Bazelit.
Sipas mediave zvicerane, djaloshi nga Gjilani do të ndërtojë një vilë 1000 metra katror, e cila do të përbëhet nga një apartament i veçantë, një garazh e madhe dhe një pishinë e hapur e përmasave pesë metra e gjerë, shtatë e gjatë.
Shaqiri nuk është atleti i vetëm profesionist që ndërton vilë në këtë qytet, sipas mediave zvicerane.
Sipas kryetarit të Komunës së vogël që numëron vetëm 13 mijë banorë, Shaqiri është i mirëseardhur në Rheinfelden.
“Ne do ta mirëprisnim me gëzim Xherdan Shaqirin në Rheinfeden.”
Nuk është e qartë nëse 29-vjeçari do të zhvendoset atje por ndërtimi i vilës së tij parashikohet të mbarojë më 2023, pikërisht në vitin kur i mbaron kontrata me Liverpoolin.