Shasha: Vuçiq po krijon mjedis të favorshëm për të lëvizur drejt marrëveshjes franko-gjermane

Prishtinë | 06 Nën 2022 | 08:59 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Institutit EPIK Demush Shasha, ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, po krijon mjedis politik për të lëvizur drejt marrëveshjes franko-gjermane.

Shasha tha se largimi i përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës nuk lidhet me vendimin e kësaj të fundit me targat.

Ai shtoi se presidenti i Serbisë po sillet sikur Vladimir Putin, në Ukrainë.

“Krijimi i gjithë kësaj drame është shenjë e dobësisë. Kur pa që po dështon pushtimi i Ukrainës, Rusia bojke thirrje përfaqësuesve të institucioneve Ukrainase të largohen nga institucionet e tyre. Sot Vuçiqi në Kosovë sillet sikur Putini në Ukrainë. Por sikur Putini, Vuçiqi është duke e realizuar këtë strategji shumë dobët”, tha Shasha.

“Lista Srpska nuk është tërheq nga institucionet e Kosovës kur është shkarkuar Jabllanoviqi, vrarë Oliver Ivanoviq, arrestuar Marko Gjuriqi, vendos taksa 100% dhe realizuar një numër aksionesh në veriu gjatë vitit 2021”, tha ai.

“E sot po tërhiqet për “qortime” të targave? Prandaj, e para, këtë nonsens të targave duhet hequr nga rendi ditës. Tani nëse targat nuk janë arsye: çfarë po ndodh? Unë besoj se Vuçiqi po ndërton narracion dramatik publik brenda Serbisë për të krijuar mjedis politik i cili do t’i lejon të lëviz drejt marrëveshjes franko-gjermane”.

Sipas tij, i pari i shtetit serb po ndërton narracion dramatik përmes ngritjes së aeroplanëve luftarakë për të rrëzuar dronët, ngritjes së gatishmërisë ushtarake, realizimit të ushtrimeve ushtarake, largimit të Listës Srpska nga institucionet si dhe organizimin e protestës së nesërme në Mitrovicë.

“Pra të gjitha këto lëvizje kanë një të përbashkët: ngritjen e një narracion dramatik publik në Serbi i cili do të krijonte mjedis të favorshëm politik për të portretizuar Vuçiqin si shpëtimtar i vetëm i Serbisë në ‘rrethanat jashtëzakonisht të vështira nacionale dhe ndërkombëtare”, përfundoi Shasha.

Të ngjashme