Shashkovci 2 muaj pa ujë, Ujësjellësit i duhet kohë për të rregulluar një prishje

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 10:45 | Nga Ekonomia Online

Ndodhen në Graçanicë por i përkasin Komunës së Prishtinës. Janë këta banorët e fshatit Shashkovc, të cilët thonë se decentralizimi iu ka sjellë telashe.

Për shkak të kësaj gjendjeje, ata thonë se edhe problemet që i kanë po mbesin pa i zgjidhur, raporton 038 në KTV.

Qe dy muaj, ata kanë mbetur pa ujë të ujësjellësit dhe duhet të furnizohen nëpër puse të ndryshme.

Thonë se në mungesë të ujit, u detyruan të hapin puse por investimet iu shkuan kot.

Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se nuk janë në dijeni për problemin e banorëve, derisa në ujësjellës kanë konfirmuar se ka prishje dhe se banorët do të mbesin pa ujë të paktën edhe 1 muaj.

“Jemi në procedurë të tenderimit të një pompe që është prishur që gati 2 muaj. Shashkovci është një zonë që fare pak i paguan faturat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, pavarësisht që furnizimin e kanë mjaft të mirë deri para prishjes se pompës. Por edhe pse nuk janë të rregullt në pagesa, për hir të interesit publik, ne e kemi shpallur tenderin për pompë dhe pritet që si proces në tërësi të përfundojë prej 1 deri më së largu 2 muaj. Ujë iu kemi dërguar edhe me cisterna dhe një apel për ata konsumatorë, pasi që nuk janë pagues të rregullt, që t’i kryejnë obligimet financiare ndaj nesh sepse nëse nuk paguajnë, ne nuk do të kemi mjete financiare që të investojmë apo të rregullojmë apo edhe t’i ndërrojmë pompat kur dëmtohen”, ka thënë Arjeta Mjeku, zëdhënëse në K.R.U “Prishtina”.

Banorët ndërkohë kanë thënë se në rrezik janë nxënësit, pasi që uji mungon edhe në shkollë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme