Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sulme të fuqishme ushtarake ndaj Iranit, si përgjigje ndaj sulmeve kundër tre cisternave të naftës në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se gjatë operacionit janë goditur mbi 80 objektiva, përfshirë më shumë se 60 mjete të vogla detare të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), të cilat vepronin në zonën e ngushticës, shkruan BBC.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane kanë goditur ishullin Qeshm, si dhe qytetet Bandar Abbas dhe Sirik. Sipas autoriteteve iraniane, disa persona kanë mbetur të plagosur nga copëzat e predhave. Megjithatë, Teherani nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmet ndaj tre cisternave që çuan në reagimin ushtarak të ShBA-së.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike deklaroi se ka nisur sulme hakmarrëse ndaj bazave ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt gjatë orëve të para të së mërkurës.
Sipas IRGC-së, ndaj “85 objekteve kryesore ushtarake amerikane” janë lëshuar raketa dhe dronë, duke përfshirë selinë e Marinës Amerikane në Bahrein dhe një bazë ajrore amerikane në Kuvajt.