Një 74-vjeçar italian, i dënuar për përfshirjen në një rrëmbim të kryer nga një organizatë militante e ekstremit të majtë në vitet 1970, është arratisur nga arresti shtëpiak në Argjentinë dhe aktualisht ndodhet në arrati.
Kidnapuesi 74-vjeçar ikë nga arresti shtëpiak, zbret me litar nga ballkoni

Leonardo Bertulazzi përdori një pajisje sigurie dhe një litar për t'u zbritur nga ballkoni i një apartamenti në katin e pestë, në kryeqytetin argjentinas, Buenos Aires.
Sipas BBC, ikja e tij nuk u konstatua menjëherë, pasi ai kishte ndërhyrë në funksionimin e byzylykut elektronik të gjurmimit, duke bërë që pajisja të vazhdonte të transmetonte të dhëna për temperaturën e trupit edhe pasi e kishte hapur me forcë dhe ishte larguar.
Bertulazzi kishte kaluar tashmë disa dekada në arrati, pasi ishte dënuar në mungesë nga drejtësia italiane për rrëmbimin, në vitin 1977, të inxhinierit të marinës italiane, Pietro Costa.
Në momentin e arratisjes, ai ishte në pritje të ekstradimit drejt Italisë dhe mbahej nën mbikëqyrjen e Ministrisë argjentinase të Sigurisë përmes një pajisjeje elektronike të vendosur në kyçin e këmbës, e cila regjistronte temperaturën e trupit dhe lëvizjet e tij.

















