Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit për natën e gjashtë radhazi, njoftoi ushtria amerikane, ndërsa përplasjet mes dy vendeve po intensifikohen për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se sulmet kishin për qëllim “dobësimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake të Iranit”. Më pas, ajo njoftoi se kishte ndaluar dhe kontrolluar një anije në kuadër të bllokadës së porteve iraniane.
Në një zhvillim që shihet si përshkallëzim i konfliktit, mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane goditën edhe infrastrukturë civile, përfshirë ura, një stacion hekurudhor dhe një aeroport. BBC-ja ka verifikuar një sulm ndaj një ure në perëndim të Bandar Abbasit, në provincën Hormozgan.
BBC ka kërkuar një reagim nga Shtëpia e Bardhë dhe CENTCOM, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje, transmeton Klankosova.tv.
Raketat amerikane goditën gjithashtu zona pranë ishullit Qeshm, afër Ngushticës së Hormuzit, si dhe objektiva në Bandar Abbas dhe Bushehr, ku ndodhet një central bërthamor.
Në deklaratën e saj, CENTCOM nuk përmendi urat mes “dhjetëra objektivave ushtarake iraniane” të goditura gjatë valës së fundit të sulmeve, të cilat përfunduan në orët e para të së premtes.
Sipas ushtrisë amerikane, avionë luftarakë, dronë dhe mjete detare goditën pozicione të mbikëqyrjes bregdetare, sisteme të mbrojtjes ajrore, infrastrukturë logjistike ushtarake dhe kapacitete detare të Iranit.
Më herët gjatë javës, presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar se SHBA-ja do të godiste urat dhe centralet energjetike të Iranit nëse Teherani nuk do t’i rikthehej negociatave.
Pas deklaratës së Trump në prill, ku ai kërcënoi me sulme ndaj infrastrukturës civile iraniane, përfshirë ura dhe centrale energjetike, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, deklaroi se “sulmet e qëllimshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile përbëjnë krim lufte”.
Konventat e Gjenevës të vitit 1949, që rregullojnë të drejtën humanitare ndërkombëtare gjatë konflikteve të armatosura, ndalojnë sulmet ndaj objekteve që konsiderohen jetike për popullsinë civile.