Shefja e FMN-së: Kriptovalutat po “shkundin” sistemin bankar

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde, tha se teknologjitë financiare si kriptovalutat, po “shkundin” sistemin bankar dhe duhet të monitorohen për të mirëmbajtur stabilitetin.

Lagarde theksoi ndryshimin e modelit të biznesit të bankave tregtare, për të vërtetuar se inovacione si kriptovalutat po ndikojnë te sektori financiar.

“Mendoj se çdo gjë që ka të bëjë me teknologjinë e rrjeteve të decentralizuara, qofshin kriptovaluta apo aktive të tjera, po shkundin sistemin bankar. Ne nuk duam që inovacioni të shkundë aq shumë sistemin sa që të humbasim qëndrueshmërinë”, thotë Lagarde.

Kompanitë teknologjike po e shohin sektorin bankar si një treg trilionë dollarësh që ka mundësi për përçarje. Facebook raportohet se po zhvillon kriptovalutën e vet dhe Apple prezantoi kartën e vetë të kreditit, në partneritet me Goldman Sachs. Bankat janë kundërpërgjigjur me përpjekjet e veta për të zotëruar teknologjinë e re. JPMorgan po përpiqet të nxjerr në treg monedhën e vetë të quajtur “JPM Coin”, që do të shlyejë menjëherë pagesat mes klientëve.

Ajo tha se kompanitë e teknologjisë që hyjnë me forcë në hapësirën e bankave, duhet të jenë subjekt i rregullimit.

“Mbetet për të parë se çfarë do të bëjnë këto kompani. Nëse hyjnë me forcë te sektori bankar, do të duhet të jenë subjekt i rregullimit. Ato duhet të mbajnë përgjegjësi, në mënyrë që të kenë besim të plotë”, thotë ajo.

Lagarde ka thënë më parë se bankat duhet të inkurajohen për të studiuar monedhat dixhitale, në mënyrë që të arrijnë hapin e ndryshimeve në sferën financiare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme