Shënoi gol pas më shumë se katër muajsh, Muriqi: Jam rikthyer

Prishtinë | 12 Shk 2024 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqi nuk kishte shënuar gol qe një kohë të gjatë në La Liga.

Sulmuesi kosovar ishte duke “agjëruar” qe katër muaj e gjysmë në këtë aspekt, respektivisht nga 30 shtatori.

Dhe, 29 vjeçarit iu rikthye buzëqeshja mbrëmë në ndeshje me Rayo Vallecanon.

Përfaqësuesi kosovar në fakt golin e fundit e kishte shënuar pikërisht kundër këtij kundërshtari në fund të shtatorit.

E mbrëmë, Muriqi e shënoi një gol jashtëzakonisht të rëndësishëm, shkruan “Gazeta Express”.

“Pirati” e gjeti golin në minutën e fundit të takimit kundër Rayo Vallecanos për t’ia siguruar ekipit ishullor fitoren me rezultat 2:1

Ky trepikësh ia mundëson Mallorcës të jetë paksa më e qetë pasi u ngrit në pozitën e 16-të në tabelë me 23 pikë, sa i ka edhe Sevilla, që është e 15-ta.

Pas golit, Muriqi e shprehu gëzimin e tij edhe përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Jam rikthyer”, shkroi ish-futbollisti i Fenerbahçes e Lazios në Instagram, duke ia përcjellë disa foto këtij postimi.

Muriqi e shënoi golin e pestë sezonal në La Liga, ndërsa i ka edhe dy asistime.

Ai mungoi në tetë ndeshje të këtij sezoni në kampionatin spanjoll shkaku i lëndimit që e kishte pësuar duke luajtur për Kosovën kundër Izraelit, në ndeshjen kualifikuese për Euro 2024.

Tërheqja muskulore në atë takim e kishte lënë atë jashtë fushës së blertë për afro tre muaj.

Tash, “Pirati” i Mallorcës po e rikthen formën dhe do të mundohet ta shpëtojë këtë ekip pa rënë nga liga në sezonin e tretë radhazi.

Të ngjashme