Niveli parësor dhe ai dytësor i shëndetësisë në Prizren kanë shprehur qëndrime të kundërta sa i përket çështjes së ofrimit të shërbimeve shëndetësore për pacientët respektivisht efikasitetit të tyre.
Përderisa menaxhmenti i Komunës së Prizrenit ka theksuar se niveli parësor i shëndetësisë ofron shërbime efikase, të cilat në shumë raste do të duhej t’i bënte Spitali i Prizrenit, drejtuesit e kësaj të fundit kanë thënë se lidershipi komunal ka plasuar të pavërteta në opinion dhe njëherësh kanë bërë thirrje që të heqë dorë nga politizimi i shëndetësisë, shkruan sot Koha Ditore.
Shkas për këtë përplasje është bërë një postim i kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, në rrjetet sociale. Në këtë informatë për publikun Haskuka ka pohuar se “në shumicën e postimeve lidhur me sukseset e Komunës së Prizrenit në shëndetësi, përkatësisht në qendrat e mjekësisë familjare, vijnë komente për pakënaqësitë me Spitalin Regjional të Prizrenit, derisa edhe ankesat e qytetarëve në qendrën e thirrjeve “Alo Komuna” po ashtu kanë të bëjnë me Spitalin Regjional”.