Deputeti i NISMA për Kosovën në Kuvendin e Kosovës, Bilall Sherifi në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se vizita e nënpresidentit amerikan Joe Biden në vend është e një rëndësie të veçantë, pasi edhe një herë tjetër është konfirmuar mbështetja e SHBA-së për Kosovën.
“Vizita e nënpresidentit Biden duhet të shihet nga dy aspekte. I pari është si vizitë rajonit, protokollare, zyrtare. Dhe tjetra është për përurimin e emërtimit të një rruge me emrin e të birit të tij Beau Biden”.
“Kosova ka pritur një mik të madh të saj. Një njeri i cili që nga viti 1997 ka kontribuar shumë për çështjen e Kosovës. Ai ka ardhur si një mik i Kosovës dhe si çdo vizitë e një nënpresidenti të SHBA-së ka një peshë të veçantë. Nuk ka thënë asgjë më shumë se që ka thënë presidenca amerikane për Kosovën, por prezenca e tij fizike i jep një peshë edhe më të madhe. Ne vazhdojmë t’i jemi mirënjohës kësaj mbështetje”.
Sa i përket çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Sherifi ka deklaruar se Biden nuk ka kërkuar që dokumenti të miratohet se i tillë, por që procesi të kryhet, gjë të cilën është duke e kërkuar edhe opozita, njofton Klan Kosova.
“Biden nuk tha që duhet gjithsesi kjo marrëveshje për demarkacionin duhet të kalojë, por pasi që Hashim Thaci vet e përmendi që Kosova do t’i miratojë këto marrëveshje sepse ndryshe vendi mbetet i izoluar. Këtë nuk e tha Biden. Përkundrazi ai the se Kosova do të ketë mbështetjen e SHBA-së dhe natyrisht që mbështesin përkushtimin e vendit.
Ne si opozitë nuk po themi që nuk duhet demarkuar kufirin me Malin e Zi, por jo në këtë formë. Ne mendojmë që demarkacioni është kthyer në një çështje pothuaj të pakapërcyeshme. Biden nuk tha që duhet ratifikuar kjo marrëveshje, si e tillë”.
Ai ka thënë se duhet kaluar pak kohë që të dy palët të mendojnë me koka të ftohta dhe se opozita nuk po kërkon gjë tjetër veç korrigjimit të marrëveshjes, si çështje e vendit.
“Duhet të ftohen kokat e të dy palëve, si të pozitës, si të opozitës dhe të ulet për t’u gjetur një zgjidhje për t’u korrigjuar kjo marrëveshje”.
“Ambasadori i Britanisë së Madhe ka thënë që çështja e demarkacionit është çështje e kosovarëve”.
“Opozita i ka pasur vërejtjet e veta të cilat i ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese. Ne jemi të bindur se Asociacioni ka rënë”.
“Askush në Kosovë nuk është kundër demaskimit të kufirit me shtetet fqinje”.
Sherifi ka theksuar se deputetët e Kuvendit janë aty për t’i mbrojtur interesat e vendit dhe se assesi nuk mundet që opozita të cilësohet antiamerikane vetëm për ndonjë mospajtim që ka për një çështje të caktuar.
“Ne jemi të thirrur për t’i mbrojtur interesat e Kosovës. Në asnjë rast nuk mendojmë që nëse nuk kemi përputhje të qëndrimeve për një çështje të caktuar jemi kundër SHBA-së. Kjo është diletante. Unë mendoj që liderët e shtetit janë kundër SHBA-së, sepse ka dekada që ajo kërkon që të luftohet korrupsioni, që tanimë ka marrë përmasa endemike”.
“Sot duhet të sqarohet çështja e demarkacionit, jo të kalohet për hatër të kujtdo qoftë. I tërë ky proces duhet të rifillojë”.
Premtimet e presidentit të vendit, Hashim Thaci, për luftën ndaj korrupsionit, Sherifi i ka cilësuar si joserioze, pasi, sipas tij, është vet Thaçi që e ka filluar dhe zhvilluar këtë dukuri.
“Thaçi ka mundur të mos e fillojë korrupsionin. E ka zhvilluar dhe rritur. Ai tanimë është bërë galopant. Unë nuk besoj fare në zotimit e Thaçit për ta luftuar korrupsionin. Ai ka qenë në krye të qeverisë që e ka filluar dhe zhvilluar korrupsionin. Zotimet e Thaçit nuk i merr më askush seriozisht. Të gjithë e dinë që zotimet i jep ndryshe, ndërsa veprimet i bën ndryshe”.