Shiteshin me zbritje produkte kimike pa afat, Inspektorati i Ferizajt asgjëson 120 produkte të tilla

Prishtinë | 26 Nën 2019 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Komunal i Ferizajt është kurdoherë vigjilent sa i përket mbrojtjes së qytetarëve dhe zbatimit të ligjit kundrejt produkteve të rrezikshme e të dyshimta që qarkullojnë në treg, përcjell Ekonomia Online.

Së fundmi, me denoncimin e një qytetari, është ndërmarr një aksion që është zgjeruar në të gjitha pikat e mundshme biznesore për kontrollin e produkteve me përbërës kimik, të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve dhe jashtë afatit të përdorimit.

Ky aksion, ka rezultuar me konfiskimin dhe asgjësimin e gati 120 produkteve në njërën nga qendrat afariste në Ferizaj, ku ofroheshin në lirim produkte me përbërës kimik pa afat, rrjedhimisht të dëmshme për shëndetin.

Inspektorët e tregut dhe ata sanitar që kryen këtë aksion tashmë janë shpërndarë në pika të ndryshme kontrolli për të realizuar në shtrirje më të gjerë këtë aksion. Biznesi ku janë gjetur këto produkte është proceduar pranë gjykatës kompetente sipas rregullativës ligjore në fuqi.

Koordinatori i Inspektoratit Komunal, Ridvan Berisha duke e vlerësuar këtë aksion si të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetin e qytetarëve dhe pastrimin e tregut nga produkte të dyshimta, tha se mekanizmi që drejton është i pakompromis ndaj fenomeneve të tilla dhe rrezikshmërisë që ato paraqesin për qytetarët.

“Janë asgjësuar afro 120 produkte të dyshimta me bazë kimike, të cilat janë ofruar në zbritje për konsumatorët në njërën nga qendrat afariste në Ferizaj. Fakti se produktet janë ofruar me afat të skaduar, ka nxitur denoncimin e qytetarit, që ne pastaj të veprojmë konform rregullativës ligjore në fuqi. Ky rast ka shërbyer që të zgjerojmë kontrollin edhe në pika të tjera për produkte të ngjashme. Natyrisht se mbështetja qytetare në këtë rast është e domosdoshme që të arrijmë sukses në përpjekjen tonë për një treg të sigurtë të produkteve” tha ndër të tjera koordinatori Berisha.

Fotografia e Komuna e Ferizajt
Fotografia e Komuna e Ferizajt

Të ngjashme