Shkaqet e natyrës jonormale të shtetit serb

Prishtinë | 02 Dhj 2024 | 20:04 | Nga Milazim Krasniqi

Natyra jonormale e shtetit serb, në kohën tonë, po shihet edhe në në arenën ndërkombëtare. E para, Serbia nuk e pranon gjenocidin që është bërë në Srebrenicë. Me këtë qëndrim Serbia shkelë ligjin ndërkombëtar.

E dyta, Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka pranuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës. Bile sipas hulumtimeve që janë bërë në Serbi, mbi 70% e publikut serb e përkrahin agresionin rus.

E treta, Serbia bën vazhdimisht diversion ndaj Marrëveshjes së Dejtonit, duke e përdorë RS dhe Millorad Dodikun si “kalë Troje”.

E katërta, Serbia e mban nën presion e destabilzim permanent Malin e Zi, shtetin që ka avancuar më së shumti në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

E pesta, Marrëveshjet e arritura me Kinën, ku bie edhe marrëveshja për tregti të lirë, po e shndërrojnë Serbinë në një shtet të varur nga Kina.

Deficiti tregtar i Serbisë me Kinën aktualisht është 3.7 miliardë dollarë, pra një deficit skllavërues. Mbulimi i importit me eksportin, në raport me Bashkimin Evropian është 83%, ndërsa me Kinën vetëm 23%. Cinikët mund të thonë se Serbia po shndërrohet në një shtet-skllav të Kinës, siç ishte dikur Shqipëria e Enver Hoxhës.

E gjashta, Serbia injoron ta njohë Kosovën si shtet të pavarur edhe pse Gjykata e Drejtësisë në Hagë ka rekomanduar se pavarësia e saj nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e as me rezolutën 1244. Ideja dhe përpjekjet si aksioni terrorist i udhëhequr nga Millan Radojçiqi më 24 shtator 2023, do të thotë ide dhe përpjekje për rikthim në gjendjen e luftës së armatosur me Kosovën e rrjeshimisht edhe me NATO-n.

Një shtet normal, që ka synim zhvillimin dhe integrimin në Bashkimin Evropian, nuk mund të ketë ide dhe përpjekje të kësaj natyre. Meqë Serbia i ka këto ide dhe bën këso përpjekjesh, është e qartë se ende nuk është një shtet normal.

Rrjedhimisht më shumë është Serbiatri se sa Serbi. Serbia nuk mund të jetë shtet normal derisa të heqë dorë nga synimet që të pushtojë territoret e huaja dhe të zhdukë popujt joserbë. Këtë e pati vërejtur Dimitrje Tucoviqi në rrëmujën e luftës ballkanike, kur pati thënë se “shkaku themelor i të gjitha të këqijave nga të cilat vuajmë sot dhe nga të cilat do të vuajmë edhe në të ardhmen shumë, është në atë se kemi hyrë në tokën e huaj”.

Faktikisht, Serbia është formuar si shtet në tokat e huaja, duke përfshirë madje edhe Beogradin, i cili ka qenë qytet hungarez.

Fatkeqësia është se rolin e xhandarit në Ballkan ia kanë dhënë disa nga Fuqitë e Mëdha, Rusia, Franca e Britania e Madhe, duke e përdorë Serbinë si bastion antiaustriak e antigjerman dhe si shtet çrrrënjosës i muslimanëve nga Ballkani. Vrasja e Franc Ferdinandit në Sarajevë më 1914 dhe gjenocidi në Srebrenicë në vitin 1995, janë vetëm maja e Ajsbergut e atij roli destabilizues e krimi gjenocidal, që ka marrë Serbia mbi vete, deri në ditët tona.

Të ngjashme