Bordi për shkollim specialistik nuk arriti të mbajë mandatin deri në fund, edhe pse mandati i bordit është tre vjeçar, ende pa e bërë një vit u shkarkua.
Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Arben Vitia ka shkarkuar bordin për shkollim specialistik të emëruar në kohën sa kjo ministri udhëhiqej nga Armend Zemaj.
Bordi i ri për shkollim specialistik u themelua këtë muaj, më 17 qershor, mirëpo për këtë nuk ishte i informuar kryesuesi i bordit paraprak, Labinot Shahini.Shahini në një prononcim për Kallxo.com tha se dy apo tre ditë pasi është themeluar bordi i ri, është informuar jozyrtarisht për shkarkim të bordit paraprak, “mua më kanë treguar vetëm njerëzit që e kanë pa vendimin që është emëruar bordit i ri”, thotë Shahini.
Arsyen e shkarkimit të bordit, Shahini thotë se nuk e di por thekson se sipas raportit të auditimit, gjithçka ka qenë në rregull me punën e bordit.
“Ne kem pasur mandat 3 vjeçar dhe jozyrtarisht kam dëgjuar që ministri ka emëruar bord të ri. Asnjë informatë tjetër nuk kam marrë. E di që ka kërkuar auditim të procesit të konkursit dhe në bazë të raportit që kam pranuar është gjithçka në rregull me punën e bordit. Thjesht ka vendos me emëru bord tjetër, nuk i di arsye”, tha Shahini.
Ai thotë se ka kërkuar dy herë takim me ministrin Vitia i cili nuk i është përgjigjur thirrjeve.
Për të marrë një sqarim nga ministri Vitia për këtë rast, Kallxo.com ka telefonuar atë dy herë, por edhe kësaj radhe Vitia nuk u është përgjigjur thirrjeve.
Bordi paraprak i krijuar në korrik të vitit 2020 është udhëhequr nga Labinot Shahini, ndërsa anëtarë kanë qenë, Milazim Gjocaj, Serbeze Kabashi, Gloria Staka, Florije Rexhepi, Bedri Braha, Albiona Rashiti, Albana Morina dhe Fahrije Merovci.
Kompetencat dhe përbërje e bordit
Sipas Udhëzimit Administrativ, bordi përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë.Bordi ka kompetencë për të organizuar, udhëhequr, zhvilluar dhe mbikëqyrur aktivitetet për shkollim specialistik, mes të tjerash edhe rekomandon emërimin e Komiteti Specialistik, emëron komitetin vlerësues për provim specialistik, miraton plan- programin për shkollim specialistik etj.
Aktiviteti i bordit bazohet në dispozitat e këtij Udhëzimi Administrativ dhe në Rregulloren e Brendshme të Punës të miratuar nga bordi.
Bordi për punën e tij i përgjigjet ministrit. Bordi për shkollim specialistik përbehet nga nëntë anëtarë: Ministria e Shëndetësisë përcakton 2 persona, një anëtarë në cilësinë e kryesuesit, tre nga Fakulteti i Mjekësisë: mjekësi e përgjithshme, stomatologji dhe farmaci, dhe nga një përcaktohen nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe një zyrtarë Ligjor. Mandati i bordit është tre vjeçar.