Shkencëtarët amerikanë letër Shtëpisë së Bardhë: Coronavirusi nuk do të zhduket me ngritjen e temperaturave

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Shkencëtarët amerikanë i kanë dërguar një letër Shtëpisë së Bardhë, me të cilën pretendojnë se coronavirusi nuk do të zhduket me ditët e ngrohta që pritet të mbretërojnë tash e tutje.

Kujtojmë që presidenti amerikan Donald Trump, prej javësh ka deklaruar se si virusi “do të zhduket në momentin që vjen deri të ngritja e temperaturave”.

Në letrën dërguar Shtëpisë së Bardhë, anëtarët e Akademisë Kombëtare të Shkencave, thonë se të dhënat se si moti i nxehtë dhe ai i ftohtë ndikojnë në coronavirus, nuk janë diçka specifike.

Madje ata përmendin atë se edhe nëse temperaturat e larta ndikojnë në virus, kjo do të jetë një përqindje shumë e vogël, sepse një numër i vogël i njerëzve në botë deri më tani kanë qenë imun ndaj virusit.

“Ekzistojnë disa dëshmi që tregojnë se virusi mund të përhapet më ngadalë me ngritjen e temperaturave dhe lagështinë e rritur të ajrit. Megjithatë duke parë mungesën e imunitetit te qytetarëve në mbarë botën, ky zvogëlim i efikasitetit të përhapjes nuk mund të qojë deri të zvogëlimi i përhapjes së sëmundjes, nëse nuk aplikohen masat e rrepta”, thuhet në letër.

Aty gjithashtu është bërë e ditur se një hulumtim i kryer në Kinë, ka treguar se virusi është përhapur në mënyrë eksponenciale edhe kur temperaturat ishin të larta. Çdo person i infektuar e ka përhapur tek të paktën dy persona tjerë.

“Edhe pse mund të shpresojmë që temperaturat e larta do të kontribuojnë në zvogëlimin e përhapjes së virusit, nuk mund të mbështetemi në këtë. Duhet të vazhdojmë të praktikojnë distancën sociale dhe masat tjera mbrojtëse”, ka deklaruar për CNN, Dr William Schaffner, specialist i sëmundjeve infektive në Universitetin e Wanderbilt.

Në anën tjetër presidenti Donald Trump pretendon se coronavirusi “do të tërhiqet” nga temperaturat e larta.

“Shumë mendojnë se virusi do të zhduket në prill, kur edhe do të vie deri të ngritja e temperaturave. Ai gjithsesi se do të zhduket në prill”, pati thënë Trump në letrën dërguar guvernatorëve amerikanë. 

Të ngjashme