Shkolla Finlandeze e Kosovës është përzgjedhur si një nga 10 shkollat më të mira në botë, duke shënuar një arritje historike për arsimin në vend. Ky sukses u festua me një ceremoni të veçantë në prani të prindërve, nxënësve, stafit dhe miqve të shumtë, raporton Ekonomia Online.
Themeluesi Alejtin Berisha tha se kjo është një ditë e madhe për shkollën dhe Kosovën, duke theksuar se ky çmim prestigjioz është rezultat i një pune shtatëvjeçare dhe një qasjeje krejtësisht ndryshe në arsim.
“Është ditë e madhe për shkollën tonë dhe për Kosovën. Për herë të parë në historinë një shkollë nga Kosova zgjedhet në top 10 shkollat më të mira në botë. Është çmimi më i rëndësishëm që i ipet shkollave në botë në një konkurrencë me mijëra shkolla. Ky proces nuk ka ndodhur brenda një dite. Është puna jonë shtatëvjeçare, qasja jonë, modeli jonë krejtësisht ndryshe prej arsimit klasik që është atakuar në Kosovë por edhe vende të tjera të botës, që sot na ka sjellë në këtë nivel ku me krenari mund të themi se jemi një prej 10 shkollave më të mira në botë. Jashtëzakonisht krenar! Kjo tregon që prej ditës së parë kemi vizion të qartë në shkollë, jemi munduar të qëndrojmë besnik atij vizioni për të ndërtuar një shkollë ndryshe dhe me ofruar mundësi nxënësve që të zhvillojnë shkathtësitë e shekullit 21, të zhvillojnë mendim kritik, kreativitetin e tyre, të kuptojnë botën në mënyrë reale përmes projekteve. Në këtë mënyrë, thjesht bëhen qytetarë global të cilët kanë me ndryshuar vendin tonë dhe botën.”, theksoi Berisha.
Edlira Dibrani, zyrtare për komunikim në shkollë, u shpreh se kjo arritje nuk i përket vetëm shkollës, por gjithë sistemit edukativ në Kosovë, duke dëshmuar vlerësimin ndërkombëtar të punës së palodhshme të mësimdhënësve dhe nxënësve.
“Sot jemi mbledhur në një event që është shumë i rëndësishëm për ne, jo vetëm për Shkollën Finlandeze por për gjithë sistemin edukativ në Kosovë. Shkolla Finlandeze është përzgjedhur në 10 shkollat më të mira në botë, një çmim ne do ta ndajmë me shumë krenari me prindërit dhe gjithë vendin tonë. Është moment krenarie edhe për sistemin e arsimit në Kosovë. Besojmë që është duke ndryshuar rrënjësisht sistemin arsimor. Është kënaqësi e madhe puna e palodhshme e mësimdhënësve dhe njohurive të nxënësve që sa vite tashmë po vërehet dhe po vlerësohet edhe në arenën ndërkombëtare.”, shtoi Dibrani.