Arrin në 95 numri i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Pas 10 deputetëve të parë që morën mandatet e dorëzuara nga deputetët e opozitës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të plotësojë edhe 3 vakanca të tjera duke e çuar në 16 numrin e deputetëve “opozitarë” në Kuvend.
Bëhet fjalë për 3 kandidatë që vijnë sërish nga listat shumëemërore të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe më konkretisht Ralf Gjoni që merr mandatin e deputetit në Qarkun e Tiranës duke zëvendësuar Klajda Gjoshën, Nimet Musai që merr mandatin e Petrit Vasilit në Qarkun Fier dhe Enada Koçiraj që zëvendëson Shezai Rrokajn në Qarkun e Vlorës.
Të tre këta kandidatë kanë dorëzuar tashmë formularin e dekriminalizimit dhe gjatë mbledhjes së sotme KQZ pritet të bëjnë procedurën formale të kalimit të mandatit të deputetit. Ralf Gjoni e ka deklaruar edhe publikisht që do ta merrte mandatin, pasi sipas tij kështu i shërbente të ardhmes së vendit. Ndërkohë që dje ka reaguar edhe kandidati tjetër që merr mandatin e deputetit Nimet Musai.
Ai dorëzoi mandatin e këshilltarit në Këshillin Bashkia të Fierit për të marrë mandatin e deputetit. “Në Kuvend do punoj për të mirën e qytetit të Fierit dhe do jap kontributin tim për gjithçka që meriton vendi”- tha dje Musai. Ndërkohë që kandidatja tjetër e LSI që merr mandatin e deputetit është Enada Koçiraj. Ajo ka qenë e treta në listën e Qarkut Vlorë dhe zëvendësojë ish- deputetin Shezai Rrokaj. Ajo është vetëm 25 vjeç dhe deri më sot ka qenë kryetare e LRI-së për Vlorën. Ndërkohë që nga 13 deputetët e rinj që kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit 10 prej tyre janë nga LSI dhe vetëm 3 nga PD.
Gjithsesi burime nga KQZ bëjnë me dije se për momentin nuk ka kandidatë të tjerë që kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit. Kjo për faktin se nuk janë shpallur mosmarrja e mandatit nga një numër i konsiderueshëm kandidatët që kanë refuzuar të futen në Kuvend dhe se në një pjesë të qarqeve listat kanë filluar të shterojnë. Gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së pritet të miratohen edhe vendimet për mospranimin e mandatit nga 18 kandidatë të tjerë të PD dhe LSI. Mes tyre janë edhe emra të njohur si Preç Zogaj, Dashamir Tahiri apo edhe Agron Duka.
Në rendin e ditës së KQZ-së janë edhe projektvendimet për regjistrimin e katër partive të reja për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. “Partia Personat me Aftësi të Kufizuar”, “Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë”, “Partia e të Drejtave të Mohuara” dhe “Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare”, këto janë katër partitë, të cilat priten të regjistrohen nesër nga KQZ. Këto nuk janë partitë e para që regjistrohen si subjekte zgjedhore për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Para tyre KQZ ka regjistruar edhe disa partitë tjera që janë aleate të PS-së. Gjithsesi partitë politike kanë ende edhe afro 1 muaj afat për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore. Deri atëherë duhet t’i jetë dhënë edhe zgjidhje krizës politike, në mënyrë që opozita të regjistrohet në zgjedhje.