Shkrimtari Mustafaj kritikon inskenimin “e pështirë” të babadimrit nga Rama e Gjebrea

Prishtinë | 12 Jan 2018 | 15:59 | Nga

Me një analizë të shkëlqyer, shkrimtari Besnik Mustafaj ka zbërthyer rolin e secilit prej personazheve në inskenimin e 31 dhjetorit në TV Klan tek “E diela shqiptare”, kur Edi Rama u shfaq i veshur me rrobat e Babagjyshit të Vitit të Ri për të ndihmuar një fëmijë të sëmurë.

Mustafaj duket i neveritur nga ajo që ka parë dhe si prind nuk është kursyer as për Edi Ramën, as për Ardit Gjebrean dhe as për nënë e fëmijës së sëmurë.

Për Edi Ramën

Tërthorazi, Edi Ramën e quan një plehrë, kur i referohet një filmi francez, që nuk ka lidhje me inskenimin në fjalë, por ka titullin “Babagjyshi i Vitit të Ri është një plehrë” (Le père Noel est une ordure).

Titullin, shkrimtari e ka nxjerrë nga konteksti me ndërgjegje, por thotë se vetëm këtë gjeti “për të përcaktuar ndjesitë lidhur me një shfaqje që Kryeministri ynë na dha në një televizion kombëtar në prag të vitit të ri”.

Për të treguar se dhembshuria e Ramës është e rreme, Mustafaj përmend rastet e të verbërve, paraplegjikëve apo fëmijët autikë, ndaj të cilëve qeveria nuk përmbush as detyrimet më minimale.

“Solidaritetin, kryeministri ynë nuk e sheh si një detyrim të lidhur më funksionin që i është besuar, por si një rast për t’i shprehur dashuri vetes një herë në vit duke veshur xhyben e kuqe të babagjyshit të Vitit të Ri për të dorovitur si në përralla një hallexhi”.

“Për herë të parë e kam gjetur vërtet me vend përcaktimin që po ky Kryeministër ka bërë për mediat si kazan, por që brenda këtij kazani ishte tashmë ai vetë si autor dhe protagonist i versionit shqiptar të filmit me titullin “Babagjyshi i Vitit të Ri është një plehrë”, vazhdon shkrimtari.

Për Ardit Gjebrean

Neverinë për Gjebrean, shkrimtarit ia provokon roli i dyfishtë i prezantuesit, si i përdorur në mënyrë poshtëruese nga kryeministri dhe si përdorues i pamëshirshëm i fëmijës.

“Gjebrea kishte bërë dhe një mizanskenë mizerabël, fund e krye manipuluese, me gjysmën e ekranit të mbushur me kokën e Kryeministrit me fytyrën të përmbytur nga dhembja, nëpër syrin e të cilit rrjedh një kokërr loti tek dëgjon lutjen që ky fëmijë i dërgon me shkrim babagjyshit të Vitit të Ri, domethënë atij, mrekullibërësit, që ai të verë dorën në zemër jo duke i sjellë lodra e çokollata, por për ta ndihmuar që të ndjekë shkollën”.
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është përdorimi i fëmijës.

“Në gjysmën tjetër të ekranit është ky fëmijë, me një fytyrë plot hutim të bukur që i shkon si fëmijë që është, duke u përpjekur të luajë pa gabime rolin që i ka caktuar Gjebrea. Sepse Gjebrea, i përdorur nga Kryeministri, përdor nga ana e vet pamëshirshëm këtë fëmijë duke e vënë të luajë një rol që, në fakt, nuk është më për moshën e tij. Ai është nëntë vjeç.
Gjebrea është vetë prind, ka rritur të vegjlit e vet dhe e di se një fëmijë nëntë vjeç, me një zhvillim mendor normal siç dukej fatmirësisht ta kishte protagonisti i këtij episodi, e ka kapërcyer tashmë moshën kur i beson verbërisht realitetit të përrallës. Është një mizanskenë spekulative, karikaturale, e pandershme, e pasinqertë, lënduese për ne që e shohim. Për t’i thënë gjërat siç janë, Kryeministri është treguar cinik me Gjebrenë dhe Gjebrea është treguar cinik me vogëlushin” shkruan Mustafai.

Për nënën e fëmijës

Besnik Mustafai thotë se e kupton hallin e saj, por si prindi-prindit thotë ai, ajo duhet të kuptojë dhimbjen që i ka shkaktuar qindra nënave të tjera që nuk kanë fatin të shohin fëmijën e tyre të marrë të njëjtën dhuratë për fëmijën e tyre.

“Unë e kuptoj hallin e saj të madh dhe gëzohem për të që ky hall, me sa duket, iu lehtësua sadopak. Por ajo, me vetëdije ose pa vetëdije, ka treguar një egoizëm të pahijshëm, duke u bërë karshillëk qindra e qindra nënave të reja si ajo apo edhe më pak të reja, të cilat, të shkretat, kanë të njëjtën brengë në zemër si ajo, por fati nuk ua ka sjellë e nuk do t’ua sjellë ndoshta kurrë të bien në duart e një zhongleri të televizionit”

Shkrimin e plotë të botuar në gazetën Panorama, e gjeni në këtë LINK.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme