Fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” ka dhuruar një donacion, mjete mbrojtëse, në vlerë prej 10 mijë eurosh, për Klinikën e Gjinekologjisë dhe të Neonatologjisë.Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se ky donacion tregon mbështetjen që shoqata e “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë i kanë ofruar sistemit shëndetësor në Kosovës gjatë këtyre viteve, sidomos gjatë kohës së pandemisë.
“Ky donacioni i juaj i sotëm i ofron siguri në punë personelit shëndetësor, i bën më të sigurt në punën e tyre, por edhe rrit besimin, nga ana tjetër, edhe te pacientët, pasi që pacientët, kur e shohin që personeli mjekësor është i mbrojtur me pajisje mbrojtëse, atëherë kanë një siguri më të madhe se do të marrin shërbime më kualitative”, tha Krasniqi.
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, Vlorian Molliqaj, theksoi se po bëjnë përpjekje në forma të ndryshme që të mbledhin fonde, në mënyrë që të sjellin donacione tjera, si ndihmë për punën e profesionistëve shëndetësorë, në betejën me pandeminë COVID-19.
“Ne ju falënderojmë për punën përgjatë kësaj periudhe, e cila ka qenë shumë e vështirë. Shpresoj që do të ketë mjete të mjaftueshme dhe do ta kalojmë sa më lehtë këtë sfidë”, deklaroi Molliqaj.
Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, falënderoi donatorin për ndihmën e ofruar, ndërsa tha se javën e ardhshme nga AMC do të arrijë edhe një donacion tjetër.
Duke folur për bashkëpunimin mes fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, tha se mbështetja e vazhdueshme nga AMC ka luajtur një rol të rëndësishëm për shëndetësinë në Kosovë, veçmas në këtë periudhë të vështirë, në të cilën po kalon vendi.